E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimet kushtetuese PD kerkon dy jave kohe PS Te perfundojne me 30 shtator

Këshilli i Legjislacionit shtyn për dy javë shqyrtimin e kërkesave të paraqitura nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, që synojnë ndryshime të Kushtetutës së vendit, të cilat prekin institucione të drejtësisë. Opozita kërkoi që miratimi përfundimtar i ndryshimeve kushtetuese të bëhet më 30 shtator, ndërkohë që demokratët kërkuan dy javë kohë për të shqyrtuar me seriozitet amendamentet.

Në rreth 3 minuta prezantim, Pandeli Majko u mjaftua vetëm me 28 sekonda për të njohur këshillin e legjislacionit dhe komisionit të ligjeve me nismën për ndryshimet Kushtetuese për një reformë thelbësore të reformës në drejtësi.

Demokratët thanë se prisnin një prezantim serioz i cili, sipas Ilir Rusmalit mungoi jo vetëm me gojë nga ana e relatorit Majko, por edhe në variantin e shkruar. Kreu i Komisionit të Ligjeve u solli në vëmendje kolegëve socialistë që kësaj here është mazhoranca që kërkon kohë për të gjykuar me racionalizëm mbi këtë nismë, duke i garantuar se kjo kohë nuk do të jetë dhjetë vjet, aq sa PS-së iu deshën për imunitetin, por ndoshta pak më shumë se dhjetë ditë, aq sa PS kërkoi për një ligj të rëndomtë të matjes së kilometrave, apo të orëve të udhëtimit të mauneve dhe kamionëve.

Me shumicë votash dhe pa kundërshtimin e socialistëve propozimi i demokratëve për dy javë kohë u miratua. Disa minuta pas mbledhjes reagoi Pandeli Majko, duke shprehur çudinë për kohën e kërkuar nga PD, për më tepër kur, siç tha ai opozita ka ulur kokën, duke bërë të qartë se do të votojë kufizimin e imunitetit, edhe nëse mazhoranca do ta rrëzojë nismën e reformës në drejtësi

Socialistët kërkojnë në nismën e tyre zgjedhje me shumicë të cilësuar, pra asnjëherë pa votën e opozitës anëtarët dhe kryetaret e organeve të drejtësië, ndryshimin e Rregullores së Kuvendit dhe gjykimin e deputetëve dhe ministrave, jo menjëherë nga Gjykata e Lartë, por dhe nga shkallët më të ulëta të gjyqësorit. E prezantuar në këtë mënyrë, demokratët e kanë cilësuar nismën që në krye të herës si antidemokratike, kur përpjekja është bllokimi dhe vendosja e diktatit të pakicës mbi shumicën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›