E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sigurinë e plazheve e promovon Ministria e Mbrojtjes

Zona nënujore e bregdetit të rrethit të Vlorës do të pastrohet nga predhat dhe municionet e mbetura nga periudha e Luftës së Dytë Botërore apo dekadave të mëvonshme, në kuadër të operacionit ‘Plazhe të sigurta’. Në kuadër të nisjes së fazës së parë të këtij operacioni, Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, zhvilloi të shtunën një vizitë në Komandën e Distriktit të Dytë Detar në Vlorë, gjatë të cilit theksoi se “ky operacion synon ti kthejë plazhet e Vlorës në mjedise të sigurta”. “Në fazën e parë të këtij projekti do të pastrohet zona e Ujit të Ftohtë, ku, janë evidentuar 30-40 tonë predha dhe municione, që kanë mbetur nga periudha e Luftës së Dytë Botërore. Pastrimi i kësaj zone që ndodhet pranë Kalasë, do të realizohet brenda muajit maj. Operacioni parashikon nxjerrjen nga uji të predhave dhe municioneve, transportimin e tyre në drejtim të Gadishullit të Karaburunit, në një distancë rreth 12 km, në vendin e quajtur Shën Vasil, ku do të kryhet edhe shpërthimi i tyre, në kushtet e një sigurie të plotë, në bunkerë”, tha Oketa. Sipas tij, gjithçka do të kryhet brenda standardeve të sigurisë dhe i gjithë gjiri i Vlorës do të pastrohet, ndërsa më pas do të vazhdojë puna edhe në zona të tjera të vendit. Ndërkohë që nënvizoi se është hartuar dhe një strategji e detajuar përmes së cilës synohet që deri në vitin 2010, të demontohen të gjitha municionet e rrezikshme. Kryetari i bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, vlerësoi përpjekjet e ministrit Oketa për të realizuar pastrimin e zonës nënujore të bregdetit të Vlorës, që përbën një shqetësim të ngritur edhe nga qeverisja vendore. Ai garantoi mbështetjen e bashkisë në këtë operacion, ndërkohë që falënderoi edhe forcat e ushtrisë që do ta realizojnë atë. Komandanti i Brigadës Detare, Kapiten i Rangut të Parë, Kristaq Gerveni, e njohu minstrin Oketa dhe të pranishmit me strategjinë dhe detajet e operacionit “Plazhe të Sigurta”. Në operacion do të përfshihen dy grupe polumbare, mjetet dhe personeli i Flotiljeve Detare, Shërbimi Hidrografik, Batalioni i Mbështetjes Logjistike, Policia Ushtarake e Vlorës, Njësia e Municioneve dhe Eksploziveve, si dhe mjete të Grupit të 28-të Naval Italian. Gjithçka do të drejtohet nga një strukturë e veçantë në formën e Task Grup. Sipas specialistëve, parashikohet që çdo ditë të nxirren nga një thellësi prej 7 metrash dhe njëkohësisht të asgjësohen 1.5 -2 tonë municione. Aktualisht në gjirin e Vlorës janë evidentuar 11 pika të infektuara, mes të cilave ajo e zonës së “Kalasë” në bregdetin e Ujit të Ftohtë, ku aktualisht gjenden 30-40 tonë predha dhe municione të mbetura nga Lufta e Dytë Botërore, por edhe nga viti 1997 dhe 1998. Veç kësaj, në hartën e përcaktuar përfshihen edhe zona e Triportit, Raguza e Shën Janit (Karaburun). Ekspertët shqiptarë që do të përfshihen në operacionin ‘Plazhe të sigurta’ e konsiderojnë atë të vështirë, për shkak se do të punohet nën ujë dhe me lloje municionesh, që shpesh kanë shkallë të ndjeshme rrezikshmërie. Po dje, ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, vizitoi dhe Bazën Detare të Pashalimanit, ku u njoh me punën për zbatimin e projektit të ndërtimit të 4 anijeve të mëdha patrulluese. Ky projekt synon pajisjen e Brigadës Detare me 4 anije të mëdha patrulluese “STAN PATROL BOAT”, si dhe ndërtimin e një kantieri detar për anijet. Projekti ka një vlerë prej 31 milionë eurosh, 11 milionë prej të cilave janë kontribut i qeverisë holandeze. Anija e parë është në përfundim të ndërtimit në Holandë dhe do të dorëzohet gjatë muajit gusht, ndërkohë që tre të tjera do të mundësohen në kantierin detar të Pashalimanit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›