E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ndryshimet kushtetuese, pozitive për vendin”

Bashkimi Evropian i cilëson pozitive ndryshimet kushtetuese në lidhje me sistemin zgjedhor, duke bërë atë në proporcional.

BLEDAR HOTI

 Kreu i delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri, Helmuth Lohan, vlerësoi dje gjatë një konference për shtyp në Tiranë, se “ndryshimet që iu bënë Kushtetutës së Shqipërisë, janë amendime që i hapin rrugë zgjedhjeve të vitit 2009”. Duke theksuar se në të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe vendet e tjera demokratike të botës ka një sërë mundësish për sa i përket sistemeve zgjedhore, tha se “Shqipëria, me anën e një maxhorance të madhe në Parlament, ka bërë të mundur zgjedhjen e njërit prej këtyre sistemeve zgjedhore, të cilën mendon se është sistemi më i duhur për t’u praktikuar në Shqipëri”. Ambasadori Lohan u ndal dhe në përmbushjen e standardeve për krijimin e regjistrit të qytetarëve dhe kartat e identitetit, duke nënvizuar se “ne kemi mbështetur krijimin e një regjistri të ri nëpërmjet një projekti kompleks dhe ne do të bëjmë të pamundurën që ai të përfundojë në kohën e duhur, përpara zgjedhjeve të 2009”. Lohan ka shmangur komentet në lidhje me qëndrimet e ndryshme të mbajtura nga partitë e vogla. “Nuk bëj komente mbi komentet e ndryshme”, deklaroi Lohan në lidhje me përplasjet e fundit politike. Ai e vlerësoi si “mjaft të rëndësishëm faktin që amendimi i Kushtetutës u arrit përmes një konsensusi të gjerë. Në bashkëpunimin mes PS-PD për këtë qëllim nuk ka asnjë paradoks”. I pyetur lidhur me bashkëpunimin midis maxhorancës dhe opozitës, Lohan deklaroi se, “nga përvoja e vendeve të tjera kandidate apo e atyre që kanë qenë më parë vende kandidate për në BE, ajo që kemi parë është në fakt që qeveria dhe opozita kanë qenë në gjendje të bashkëpunojnë me njëra- tjetrën për çështje të Bashkimit Evropian”. Ky ballafaqim i Lohan me median kishte të bënte me startin e javës evropiane, ku merrte pjesë dhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. Ky është viti i katërt që kjo iniciativë po zhvillohet në Shqipëri. Java Evropiane 2008 do të mbahet nga datat 2-9 maj. Programi i këtij viti përfshin veprimtari kulturore, veprimtari që përqendrohen në historinë e Bashkimit Evropian, marrëdhënien e BE-së me Shqipërinë, si dhe zhvillimet e fundit në Evropë dhe veçanërisht ato zhvillime që kanë ndikim te Shqipëria.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›