E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzimi, ndërpritet pensioni për 270 ish-minatorë në Kukës

KUKES - Ndërpriten pensionet e parakohshme për 270 ish-minatorë në Qarkun e Kukësit.

Vendimi është marrë pas konstatimit të një sërë problemesh dhe pasaktësish në dokumentet e përfitimit të këtyre pensioneve. Lajmi është bërë i ditur nga Drejtoria e Përgjithshme e Sigurimeve Shoqërore të Tiranës dhe nga ajo rajonale e Shkodrës. Mësohet se pas Auditit të Brendshëm në institucionin e ISSH-së së Kukësit, janë vërejtur pasaktësi dhe korrigjime në dokumente. Bëhet e ditur se kjo mund t’u kushtojë disa nga minatorëve detyrim rikthimi deri në 4 milionë lekë të vjetra në arkën e shtetit, si edhe ndjekje penale për të tjerët. Pensionin e parakohshëm e kanë humbur më së shumti një kategori që kishte përfituar një trajtim të veçantë me një vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 2000, vit kur u mbyllën minierat. Sipas këtij vendimi, ata minatorë që kishin punuar nën tokë në galeri për më shumë se 11.6 vite dhe në tërësi 23 vite, do të merrnin një trajtim të veçantë, ose pension të parakohshëm, në një shumë prej 5 mijë lekësh të reja në muaj, derisa të dilnin në pension të plotë. Ndërsa kontrollet e bëra nga Auditi i Brendshëm kanë pezulluar përfitimin për 270 minatorë, disa prej tyre që pretendojnë se u takon ky përfitim kanë qëndruar në dyert e drejtorisë rajonale të sigurimeve shoqërore të Kukësit në pritje të rimarrjes së pensionit. Në të kundërt, ata kanë pohuar se do të nisin protestat.          j.h.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›