Ndryshimet në Kodin Penal, opozita shprehet kundër
TIRANË- Ndryshimet në Kodin Penal rrezikojnë të mos miratohen dot në momentin që do të kalojnë në seancë plenare. Kjo për shkak se mazhoranca dje në Komisionin e Ligjeve nuk ka pranuar sugjerimet e opozitës, duke kaluar pa konsensus amendimin e Kodit Penal, pavarësisht se Kushtetuta imponon mirëkuptimin mes palëve, kur përcakton se për miratimin e tyre duhen 84 vota. E vetmja zgjidhje për mazhorancën për miratimin e këtyre ndryshimeve mbetet futja në negociata me të majtët gjatë diskutimit të tyre në seancë plenare.
Komisioni
Ashtu siç edhe pritej pozita dhe opozita kanë ndarë qëndrime krejt të kundërta në lidhje propozimet e Ministrisë së Drejtësisë për të bërë disa ndryshime në Kodin Penal, thelbi i të cilave ka të bëjë me vendosjen e dënimit alternative, si dhe një sërë masash shtrënguese ligjore për vepra të tilla penale siç është vjedhja e energjisë elektrike, djegia e pyjeve apo dhe ndërtimi pa leje. Prezantimi që Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj i ka bërë këtyre amendamenteve nuk ka bindur përfaqësuesit e majtë në Komisionin e Ligjeve, të cilët ashtu si gjatë diskutimit në parim ashtu edhe nen për nen kanë kundërshtuar fort pjesën e dytë të kësaj pakete ndryshimesh, të cilat kishin të bënin me heqjen e masës së gjobës për një sërë kundravajtjesh penale dhe vendosjen e masës së heqjes së lirisë me burg. Sipas ish-kryeministrit Pandeli Majko nisma e ndërmarrë nga Ministria e Drejtësisë është e ekzagjeruar në përmbajtje, pasi shtrëngimi i masave penalizuese për veprat e mësipërme vijnë në një moment kur shteti nga ana e vet nuk ka kryer një sërë detyrimesh që i lindin për qytetarët e vet. “Unë sinqerisht jam i shqetësuar sepse kemi nga njëra anë mosplotësimin e detyrimit të shtetit karshi qytetarëve të vet për çështjet e energjisë elektrike pastaj të shkosh ti kërkosh detyrimin apo ta fusësh në burg”, - tha Majko. Ndërkohë një tjetër çështje për të cilët deputetët e majtë në komision ngritën shqetësim ishte edhe ajo për sanksionimin e dënimit me burg për veprën e ndërtimit pa leje qoftë në tokën e vet ashtu edhe në atë publike apo të tjetrit. “Përsa i përket ndërtimeve të paligjshme dua të them se ne në Shqipëri kemi një proces të pambyllur të legalizimeve. Kemi një institut të legalizimeve që drejtohet nga Shaban Memia prandaj lind pyetja ne këtë do ta lëmë pas hyrjes në fuqi të nenit 199 pika a, kur çdo ndërtim i paligjshëm shkon direkt në burg dhe e ke 5 deri në 7 vjet. Kjo do të thotë që po ta pranoj dosjen Shabani je në rregull, s’ta pranoj dosjen Shabani bëhu gati për burgun”, - tha më tej Majko. Vërejtje në parim shprehu edhe relatori i çështjes deputeti i PBDNJ-së Spiro Peçi, i cili ka theksuar se ashpërsimi i masave për veprat e përfshira në këtë paketë ndryshimesh është i panevojshëm, ndërkohë që shteti nuk ka ende një rezultat konkret për zbatueshmërinë e masave aktuale që parashikon Kodi Penal për të njëjtat vepra.
Miratimi
E ndërsa priste që për të gjitha vërejtjet e bëra në parim, të gjende reflektimin nga ana e mazhorancës gjatë diskutimit nen për nen, opozita ka hasur edhe gjatë kësaj faze të diskutimit në dhunën e kartonave. Përveç dhjetë neneve të para të këtij ligji, të cilat kanë kaluar kryesisht me pëlqimin e të dyja palëve, shumica dhe pakica në Komisionin e Ligjeve kanë debatuar ashpër për pjesën tjetër të neneve të mbetura. Pavarësisht kundërshtimit të deputetëve të majtë, komisioni ka kaluar pas më shumë se 3 orë diskutim të gjitha ndryshimet vetëm me votat e deputetëve të djathtë. Ndryshimet e miratuara konstatojnë kryesisht në vlerësimin si krim që dënohet nga 3 në 7 vjet burg të gjitha rasteve të ndërtime pa leje, në dënimin me 5 deri në 15 vjet heqje lirie me burg për të gjitha rastet e ndryshimit të destinacionit të fondit pyjor nëpërmjet zjarrëvënies. Ndërkohë që ndryshimet parashikojnë masa të rrepta edhe për të gjithë vjedhësit e energjisë elektrike të cilët tashmë nuk do të dënohen me gjobë por me masë burgimi deri në 3 vjet heqje lirie.
Neni 137
Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike
Lidhja e paligjshme me rrjetin e energjisë elektrike, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim deri në 2 vjet. Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike dënohet me burgim deri në 3 vjet.
Neni 157
Shkatërrimi i rrjetit të ujitjes
Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i kanaleve ujitëse dhe kulluese ose veprave që lidhen me to, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim deri në 2 vjet.
Neni 159
Shkatërrimi i rrjetit të ujësjellësit
Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i rrjetit të ujësjellësit, dënohet me burgim deri në 3 vjet.
Neni 199, shtohet neni 199/a, me këtë përmbajtje:
Ndërtimi i paligjshëm
Ndërtimi i paligjshëm i një objekti në tokën e vet, dënohet me burgim deri në 3 vjet, ndërsa në tokën publike, ose në tokën e tjetrit, dënohet me burgim deri në 7 vjet.
Në nenin 199, të Kodi Penal, propozohet të shtohet një paragraf i ri, i cili parashikon rastin e ndryshimit të destinacionit të fondit pyjor nëpërmjet zjarrvënies. Kjo vepër penale tashmë përcaktohet për herë të parë si krim dhe sanksioni ligjor i parashikuar për të është nga 5 deri në 10 vjet burg dhe me një gjobë që varion nga 500 mijë deri në 1 milionë lekë.
Në nenin 206, të Kodit, parashikohet se kur zjarrëvënia ka shkaktuar pasoja të rënda për pronën, shëndetin ose jetën e njerëzve, dënohet me 10 deri në 15 vjet burgim dhe me gjobë nga 1 deri në 2 milionë lekë. Po në këtë nen parashikohen dhe rastet kur zjarrvënia është bërë nga pakujdesia apo pa dashje. Kjo vepër dënohet me 1 deri në 3 vjet burgim dhe në rast se ka pasoja shumë të rënda, që shoqërohen në dëme në shëndetin dhe jetën e njerëzve, dënohet nga 2 deri në 5 vjet.