E Shtunë, 31 Tetor 2026

Problemet në arsim, G99 gati platformën

 

Lëvizja G99 organizoi dje një takim me studentë nga e gjithë Shqipëria për problemet në arsim

TIRANË- Lëvizja G99 organizoi dje një bashkëbisedim të hapur me studentë nga e gjithë Shqipëria lidhur me problematiken e arsimit në vend. Diskutimi u hap me një raund ekspozimi të problemeve të ngritura nga vetë studentët. Adoptimi pa efikasitet i kartës së Bolonjës, paqartësia në organizimin dhe standardet e programeve të specializimit dhe të masterave, mungesat e thella në infrastrukturë dhe teknologji informacioni, kurrikulumet e vjetruara, kostot në rritje të jetesës studentore dhe vështirësitë e tregut të punës ishin disa nga problemet kryesore që ngritën studentët. Nga ana e tij, Erion Veliaj prezantoi disa ide mbi të cilat G99 po punon për ngritjen e një platforme kreative dhe që ju përgjigjet kërkesave të tregut të punës modern që thekson konkurueshmërinë. Veliaj shpjegoi se një ndërhyrje urgjente në këtë sektor duhet të mbështetet në tre kollona, e para ekselenca, duke e riformatuar sistemin në mënyrë që të aftësohet për të prodhuar më shumë cilësi, profesionalitet dhe integritet tek studentët në mënyrë që të rrisë konkurrueshmërinë e tyre përballë kolegëve evropianë e më gjerë. E dyta duhet të jetë partneriteti Publik Privat që duhet të zëvendësojë tabutë konceptuale që deri më tani kanë portretizuar vetëm rivalitet dhe konkurrencë jo të shëndetshme. Një aspekt akoma më i rëndësishëm tha Veliaj është kërkimi shkencor që deri më tani ka qenë një mundësi e munguar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›