E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blushi: Po shkojmë drejt humbjes së tretë



Paralel me turin Rama-Lakrori për zgjedhjet brenda PS-së, lëvizja për mendim ndryshe në këtë parti po tenton të bindë socialistët e thjeshtë për një të vërtetë tjetër, duke kundërshtuar atë çfarë po bën PS dhe Edi Rama. Në një nga takimet më të mëdha në qytetin e Durrësit, deputetët dhe mbështetës të kësaj lëvizjeje kanë paralajmëruar rrugën drejt humbjes së tretë elektorale të PS-së nëse nuk ndryshohet lidershipi dhe kursi i partisë. Kryesuesi i kësaj lëvizjeje, Ben Blushi, ka dhënë arsyet pse po bëjnë këto takime. Duke iu përgjigjur kritizerëve, që i thonë se po shkatërron PS, ai tha se “PS nuk shkatërrohet nga fjalët por shkatërrohet duke humbur, ne po flasim për të parandaluar humbjen e tretë”. Ndërkaq organizatorë të takimit, ish-drejtues e deputetë të partisë vunë në dukje se ka pasur presione nga ana e Ramës për socialistët e thjeshtë që të mos marrin pjesë. Sipas Bardhyl Agasit, janë bërë presione me heqje nga puna dhe këta socialistë kërcënohen me bukën e gojës vetëm se duan të shkojnë të dëgjojnë ata që mendojnë ndryshe nga Rama.

Ben Blushi

Deputeti dhe anëtari i kryesisë së PS-së, Ben Blushi, u ka dhënë përgjigje socialistëve që mendojnë se ai dhe shokët e tij po e shkatërrojnë PS-në me lëvizjen anti-Rama. “Ka shumë njerëz që na pyesin ça doni ju, doni të shkatërroni PS, në të gjitha rastet ne themi duam ta rregullojmë PS dhe për ta bërë këtë jemi gati për të shkuar në çdo fshat, në çdo qytet e çdo lagje për të thënë të vërtetën”, - tha ai dje në Durrës. Ai e ka vënë gishtin tek Edi Rama për humbjen e zgjedhjeve dhe i ka kujtuar atij tri premtime që dha kur erdhi në PS dhe që nuk i mbajti. “Edi Rama kur u bë kryetar partie në 2005 premtoi 3 gjëra, të bashkojë të majtën, të modernizonte PS-në dhe t’i jepte program të majtës. A i mbajti Edi Rrama premtimet? Sot themi “Jo” për të tria këto premtime. As nuk e bashkoi të majtën, as e bashkoi partinë dhe as nuk i dha së majtës një program”, - tha ai. Blushi ka kritikuar aleancat e Ramës me Spartak Ngjelën dhe me Nard Ndokën, duke thënë se ai nuk preferon të bëjë aleancë me miqtë brenda partisë, ndërkohë që shkon djathtas e majtas. “Ngjela i thoshte Ramës hap kutitë të numëroj votat se ke vjedhur votat e mia në vitin 2003, tani bëjnë aleanca”, - u shpreh Blushi. Ai ka ripërsëritur se bojkoti e vë në pozitë të vështirë PS me Evropën dhe me ata që e kanë votuar. “Imagjinoni sikur në Itali apo Gjermani të dilte opozita nga Parlamenti, do ishte fundi i institucioneve. T’i thuash një deputeti mos shko në Parlament, është njësoj si t’i marrësh ushtarit armën”, - tha ai më tej.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›