E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia e Tiranës, fushatë sensibilizuese ndaj shoferëve në rrugët e kryeqytetit



Përveç masave administrative penalizuese ndaj shkelësve të rregullave të Kodit Rrugor, policia e Tiranës ka menduar që të nisë një fushatë sensibilizuese ndaj drejtuesve të mjeteve me qëllim respektimin e rregullave. Drejtues të Policisë së Tiranës, shërbimet e Policisë Rrugore, Patrulla e Përgjithshme u angazhuan përgjatë ditës së djeshme, duke u përcjellë shoferëve mesazhe dhe fletëpalosje sensibilizuese në “Rrugën e Kavajës”, në kryqëzimin e Shkollës Teknologjike e shtrirë deri në Unazën e Re. Sipas burimeve zyrtare, kjo fushatë sensibilizuese do të vazhdojë edhe në të ardhmen, përkrah masave të marra për ndëshkimin e të gjithë kundërvajtësve në fushën e qarkullimit rrugor. Drejtuesve të mjeteve dhe përdoruesve të rrugës iu shpërndanë fletëpalosje lidhur me: shpejtësinë, drejtimin e mjetit nën ndikimin e alkoolit; parkimet e gabuara, me anë të cilave Policia e Tiranës u ka kërkuar bashkëpunim për respektimin e dispozitave në fushën e qarkullimit rrugor. Gjithashtu, policia e Tiranës po ndërmerr masa lidhur me shlyerjen e detyrimeve që rrjedhin nga kundërvajtjet administrative. Vetëm ditën e mërkurë në Tiranë u janë pezulluar 46 leje qarkullimi drejtuesve të mjeteve deri në shlyerjen e masës administrative të vendosur ndaj tyre. Në Qarkun e Tiranës nga shërbimet e policisë janë vendosur 1.751 masa administrative ndaj shkelësve me vlerë 1.750.530 lekë. Ndërkohë që u pezulluan 19 leje drejtimi. Policia e Tiranës u ka bërë thirrje të gjithë përdoruesve të rrugës, duke marrë shkas nga rritja e numrit të aksidenteve rrugore, në ndërgjegjësimin për të zbatuar me korrektësi normat e sjelljes gjatë drejtimit të mjetit dhe rregullat e legjislacionit rrugor.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›