Ndryshimet në hartën administrative-territoriale, vijojnë debatet në Kuvend

TIRANË, 8 tetor /ATSH/ Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur prej orës 10:00 në seancë plenare, ku po debatohet propozimi i Partisë Socialiste për ndryshimin e hartës territoriale, që parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46.
Deputetët e opozitës, duke marrë fjalën për procedurë, kërkuan që projektligji të mos votohet sot dhe të tërhiqet, deri në arritjen e një dakordësie mes palëve.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku u shpreh se ndryshimet në hartën territoriale duhet të kalojnë përmes dëgjimit të zërit të qytetarëve.
“Qytetarët e Tiranës, një e treta e vendit, nuk janë dëgjuar”, deklaroi Tabaku.
Deputetja demokrate tha se votuesit e kësaj reforme administrativo-territoriale do të jenë në “listën e turpit”.
“Ka disa lista, në fakt, që nuk i bëjnë nder politikës. Lista e atyre që kanë miratuar shembjen e Teatrit Kombëtar është një listë turpi për politikën. Lista e atyre që kanë miratuar ligjin e investimeve strategjike është një listë turpi për politikën. Lista e atyre që kanë miratuar ligjin e zonave të mbrojtura është një listë turpi për politikën. Këtyre do t’u shtohet njëkohësisht lista e atyre që do të shkrijnë sot, me një të rënë të lapsit, 50 bashki, pa dëgjuar zërin e qytetarëve, në kundërshtim me të gjitha vendimet e këshillave bashkiakë të të paktën tre muajve të fundit, pa dëgjuar asnjë përfaqësues të vetëm të Bashkisë së Tiranës”, tha ajo.
Deputeti i PD-së, Enno Bozdo tha se 15 bashkitë që parashikohet të shkrihen janë “marrë me shqelma”, ndërsa kundërshtoi mënyrën e ndjekur për ndryshimin e hartës territoriale.
“Sapo na u bë ftesa nga grupi i PS-së t’i bashkohemi reformës territoriale. A mund të më thoni, si mundet të grabitet harta pa folur më parë për financat, decentralizimin, pa folur për autonominë vendore?
Do t’i fshijë bashkitë nga harta dhe pastaj do të na ftojë ne, pas një jave, të diskutojmë se si mund të bëhet më mirë harta territoriale”, tha Bozdo.
Deputetja demokrate Ina Zhupa i kërkoi deputetit socialist Vullnet Sinaj të votojë kundër draftit të PS-së për reformën territoriale dhe t’u qëndrojë deklaratave të tij kundër shkrirjes së bashkisë së Selenicës.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla konfirmoi në fjalën e tij se reforma territoriale do të votohet sot.
“Ne i garantojmë të gjithë qytetarët e 46 bashkive të reja që do të kenë shërbime më të mira publike, shërbime më të mira nga të gjitha bashkitë dhe jemi gati t’u transferojmë bashkive të reja kompetenca, të cilat sot një pjesë e atyre bashkive nuk i kryejnë për qytetarët. Ky është dallimi mes nesh dhe jush. Ju keni hall karrigesh, ne kemi hall shërbimesh”, tha Balla.
Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, deputeti Blendi Klosi, tha se bashkimi i disa bashkive i bën këto njësi vendore më të forta ekonomikisht dhe nxit zhvillimin e tyre.
“Jemi më të fortë se kurrë. Jemi të gatshëm t’ju sfidojmë që, nga të gjitha bashkitë që do të dalin sot, ju të merrni më pak se gishtat e dorës bashki, të cilat mund t’i merrni vetëm nëse ne bëjmë ndonjë gabim. Nëse nuk bëjmë gabime, të gjitha bashkitë që dalin sot nga votimi, ne do t’i fitojmë”, tha Klosi.
“Nuk doni të flisni kur të hapet diskutimi dhe flisni tani që është për procedurë, për të thënë që ne do të ikim se do të shkojmë te protesta. Ne jemi këtu për t’u përballur me argumente. Ne mendojmë se bashkimi i bën bashkitë më të forta, i nxit ato ekonomikisht dhe stimulon investime që sot nuk i arrijnë dot me forcat e veta”, tha Klosi.
/a.f/r.e/