Ndryshimet në ligjin për SHISH, PS: Tjetër kërcënim i qeverisë
TIRANE- Partia Socialiste reagon pas vendimit të qeverisë për ndryshime në ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror. Në një konferencë për mediat, deputetja socialiste Shegushe Ligori theksoi se qeveria vijon me kërcënimet ndaj një tjetër institucioni të rëndësishëm kushtetues. “Sot Sali Berisha vijoi me kërcënimin e radhës ndaj një tjetër institucioni të rëndësishëm kushtetues. Sot kryeministri i votave të vjedhura na e bëri të qartë se kërkon të deformojë e të vërë nën kontroll edhe Shërbimin Informativ Kombëtar, duke e maskuar këtë përpjekje pas gjoja nevojës për ndryshime e reforma” u shpreh Ligori. Ndërkaq PS deklaron se nuk do të lejojë që një institucion i rëndësishëm si SHISH të shndërrohet në një vegël të qeverisë. “Fatmirësisht sot të gjithë shqiptarët e mbajnë ende mend SHIK-un e kontrolluar nga Sali Berisha dhe janë të vetëdijshëm se ç’pasoja do të ketë një zhvillim i tillë për demokracinë e brishtë shqiptare. PS nuk mund të lejojë që SHISH të shndërrohet në një vegël të qeverisë, prandaj do ta kundërshtojë me forcë këtë përpjekje të fundit të kryeministrit, e cila përbën një arsye më shumë për të kërkuar largimin e Sali Berishës” theksoi deputetja socialiste. Kryeministri Berisha prezantoi sot në mbledhjen e qeverisë ndryshimet në ligjin për Shërbimin Informativ të Shtetit ose i njohur më parë si SHIK. Ndryshimi sipas kreut ekzekutiv synon të vendosë shërbimin informativ në ndihmë të agjencive që merren me luftën ndaj krimit të organizuar ndërsa i vendoset tashmë një mandat 5 vjecar me të drejtë riemërimi vetëm një herë drejtorit të përgjithshëm të SHISH. (e.n/BalkanWeb)