E Diel, 1 Nëntor 2026

Defekt në ajër, avioni kthehet në Rinas pas 70 min

TIRANE- Një tjetër skandal me kompaninë e fluturimeve Albania Airlines ka ndodhur mesditën e sotme. Avioni i linjës Tiranë -Torino ka bërë ulje të detyruar 70 minuta pas ngritjes. Ulja është bërë pas 70 minutash, pasi avioni ka konsumuar të gjithë karburantin. Lajmi konfirmohet nga policia e Tiranës, sipas së cilës, ulja e detyruar ka ardhur si pasojë e një defekti. Pilotët e kanë konstatur defektin 30 minuta pas nisjes, ndëkohë që sipas burimeve të policisë, avioni ka qëndruar edhe 40 minuta të tjera në ajer, procedurë kjo që duhej për të konsumuar lëndën djegëse.Në avionin që do të udhëtonte drejt Torinos udhëtonin rreth 100 pasagjerë të cilët deklarojnë se janë nisur 2 orë me vonesë nga orari zyrtar 13:55. Pasi kanë fluturuar për 70 minuta ata janë detyruar të kthehen në Rinas ku ndodhen deri në këto momente, në pritje për tu nisur drejt Torinos. Pasagjerët kërkojnë të udhëtojnë me një avion tjetër, ose të kompensohen.Mësohet se ulja e avionit është bërë pa asnjë problem, ndërsa vetë kompania Albania Airlines nuk ka bërë ende asnjë prononcim. Ditën e dielë, një tjetër avion i linjës Albania Airlines ndryshoi destinacionin e tij nga Bolonja drejt Bratislavës, duke mbajtur peng rreth 110 paragjerë me pretekstin se pilotët nuk kishin marrë rrogat. Kjo cështje po hetohet nga autoritetet sllovake, ndërsa pasagjerët arritën në destinacion një ditë me vonesë. Për një tjetër arësye të tjerë pasagjerë shqiptarë po përjetojnë të njëjtën histori. Pasagjerët konfirmojnë lajmin Në një komunikim telefonik me News 24 pasagjerët e avionit që do të udhëtonte drejt Torinos, deklarojnë se ndodhen në zonën e tranzitit në aeroportin e Rinasit, ndërkohë që nuk kanë asnjë informacion se kur do të rinisin udhëtimin. Pasagjeri pohon se iu është konfirmuar nga stafi i avionit se ulja e detyruar është bërë si pasojë e një defekti, ndërsa nënvizon se do të rishikohet mundësia e riparimit të defektit. “Duhet të niseshim në 13:55 por u vonuam 2 orë, për rreth gjysëm ore udhëtuam në ajer dhe më pas na u tha se avioni ka defekt dhe duhet të kthehemi në Rinas. Na u tha se shpresojmë të rregullohet gjithcka dhe dhe të rinisemi” – thekson njëri prej pasagjerëve. Mësohet se në zonën e tranzitit, mes 100 pasagjerëve ndodhen edhe gra, fëmijë e të moshuar. (m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›