Qeveria “OK” Agjencisë Kombëtare Bërthamore
TIRANE- Në mbledhjen e sotme të qeverisë është miratuar krijimi i Agjencisë Kombëtare Bërthamore (AKOB), si institucion qendror në varësi të Kryeministrit. AKOB do të zhvillojë programin bërthamor, përfshi këtu ngritjen e një infrastrukture të nevojshme për centralin bërthamor, vendin ku do të ngrihet centrali si dhe përgatitjen e përzgjedhjen e një stafi, sipas nevojave të centralit. Gjithashtu kompetencë e AKOB është njohja e popullatës dhe e grupeve të interesit me programin bërthamor, gjatë të gjitha fazave të zhvillimit të tij, si dhe sigurimi i ruajtjes, së lëndës djegëse bërthamore, të materialeve radioaktive, të cilat lidhen me procesin e prodhimit të energjisë nga centrali bërthamor. AKOB do të bashkëpunojë me institucione të ndryshme të vendit dhe të huaja për të realizuar misionin dhe objektivat e tij. Sipas vendimit të qeverisë, bashkëpunim të ngushtë do të ketë me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA). AKOB-i e ka selinë në Tiranë dhe e zhvillon veprimtarinë në të gjithë territorin e Republikës të Shqipërisë. AKOB-i ka vulën dhe stemën e vet zyrtare.(m.a/BalkanWeb)