Shkollat shqipe bojkotojnë gjuhën maqedonase
SHKUP- Në shkollat fillore me mësim në gjuhën shqipe nuk është marrë parasysh vendimi i Ministrisë së Arsimit që gjuha maqedonase nga nxënësit shqiptarë të mësohet nga klasa e parë. Mësohet se në shkollat shqipe, ku popullsia shqiptare është pakicë e konsiderueshme dhe ku drejtorët janë maqedonas, ishte aplikuar mësimi i maqedonishtes që nga klasa e parë, siç është rasti në komunën e Qendrës së Zhupës, Manastir dhe komuna tjera. Kjo është konfirmuar edhe nga Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë (LASH), por duke bërë të ditur se gjithçka do të verifikohet gjatë ditëve të ardhshme. Në të gjitha komunat dominante shqiptare nuk është marrë parasysh vendimi i Ministrisë së Arsimit dhe se drejtorët e shkollave kanë urdhëruar që të ndiqen planprogramet e rregullta mësimore. Nga komuna e Tetovës kanë bërë të ditur se shkollat as që kanë marrë parasysh vendimin e Ministrisë së Arsimit për mësimin e gjuhës maqedonase nga klasa e parë, për shkak se sipas tyre, vendimi është mohuar nga prindërit, shkollat dhe nxënësit. Në disa shkolla fillore të Gostivarit në shenjë proteste nuk është mbajtur ora e parë e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë. Në disa shkolla shqipe duke përfshirë shumë komuna, ora e mësimit të gjuhës maqedonase është bojkotuar në të gjitha klasat. (e.n/ina/BalkanWeb)