E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimet në qeveri, Berisha shqyrton vetëm Barkën

Berisha pritet të shqyrtojë kërkesën e PBDNJ-së në momentin kur të paraqitet zyrtarisht. Nuk priten ndryshime të tjera

TIRANË- Ndryshimet e pritshme të kabinetit qeveritar pritet të përqendrohen vetëm tek posti i Ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale, që drejtohet nga Kosta Barka, përfaqësues i PBDNJ-së. Edhe pse asnjë prej zyrtarëve të lartë të PBDNJ-së nuk është shprehur zyrtarisht për shkarkimin e Kosta Barkës, ata kanë shpërndarë nëpër media një vendim të kryesisë për ta larguar nga ky dikaster. Lidhur me këtë kërkesë, burimet cituan se kryeministri Sali Berisha do ta shqyrtojë në momentin që ajo do të depozitohet zyrtarisht nga PBDNJ. Pikërisht një debat i tillë, që në thelb ka shkarkimin e Kosta Barkës dhe zëvendësimin e tij më një tjetër përfaqësues të PBDNJ-së, ka risjellë në vëmendje edhe pikëpyetjet e para nëse kryeministri Berisha do të ndërmarrë ndryshime më të thella në qeveri. Por burime të rezervuara deklaruan dje për “Shekullin” se kreu i ekzekutivit nuk ka ndërmend që të bëjë një lëvizje të tillë, përveçse do të marrë në shqyrtim kërkesën e PBDNJ-së për të zëvendësuar drejtimin e dikasterit të Punës

me një tjetër përfaqësues të po kësaj partie. Sipas burimeve, duke qenë se ky është një vit elektoral, atëherë të gjithë energjitë, sipas tyre, duhen përqendruar në përmbushjen e reformave të premtuara dhe se nuk ka më kohë për të ndërmarrë të tjera ndryshime, që me aq ngulm u kërkuan nga një pjesë e konsiderueshme e deputetëve të Partisë Demokratike.

Debati në PBDNJ

Prej disa ditësh, brenda PBDNJ ka plasur një debat i hapur mes drejtuesve të kësaj partie. Pak kohë më parë, u publikua në disa media se kryesia e PBDNJ-së i kishte kërkuar kryeministrit Sali Berisha largimin e Kosta Barkës nga posti ministror dhe zëvendësimin e tij më një tjetër përfaqësues të PBDNJ-së. Nga ana tjetër, Kosta Barka, nën cilësinë edhe të Nënkryetarit të PBDNJ-së, përmes një deklarate për shtyp mohoi të ishte bërë një kërkesë e tillë, madje vuri në pikëpyetje edhe mbledhjen e kryesisë. Ndërkohë që për këtë kërkesë nuk ka dhënë ende një përgjigje zyrtare vetë kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili përmes heshtjes së tij publike, po aprovon gjithçka po ndodh në PBDNJ. Në fakt, debati mbi heqjen ose jo të Kosta Barkës si Ministër i Punëve dhe Çështjeve Sociale ka lindur që me ndryshimet e fundkorrikut në qeveri. Pikërisht në këtë periudhë u fol shumë për një kërkesë të tillë, porse Berisha pak e kishte marrë parasysh, ose më saktë, nuk i kishte pritur në asnjë takim përfaqësuesit e PBDNJ-së. Të gjendur përballë një situate të tillë, zyrtarët e lartë të PBDNJ-së e mohuan dy muaj më parë bërjen e kësaj kërkese, ndërkohë që vetëm pas shkarkimit të Sekretarit të Përgjithshëm në këtë ministri, një tjetër përfaqësues i PBDNJ-së, por që gëzon mbështetjen e Dules, Andrea Marto, drejtuesit e PBDNJ-së e risollën sërish në vëmendje. Marto është një ndër kandidaturat më favorite të PBDNJ-së për të zëvendësuar Kosta Barkën në postin e Ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›