E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo e Elbasani ndalin njëra-tjetrën

Tirana kryeson e vetme pas barazimit në “Selman Stërmasi”

Dinamo dhe Elbasani kanë ndarë nga një pikë në përballjen e tyre në stadiumin "Selman Stërmasi". Barazimi është dukur rezultat i drejtë për atë që dy skuadrat dhanë në fushën e blertë. Por duhet evidentuar supremacia e verdhebluve në këtë takim për vetë rastet e krijuara. Të dy ekipet kanë zbritur në fushën e blertë me formacionet e tyre më të mira. Loja ka filluar me e vrullshme për skuadrën e drejtuar nga Mirel Josa, pasi Merxha shumë shpejt brenda 6 minutash do të rrezikonte dy herë portën e Kotorrit. Ndërkohë, Dinamo reagon me Plakun, i cili pas një goditjeje me kokë mund të kalonte blutë në avantazh. Ndeshja është shoqëruar me raste shënimi nga të dyja skuadrat dhe me një luftë sportive për t'u admiruar në repartin e mesfushës. Elbasani është më kërkues në lojën e tij dhe në një moment Xhafa mund t'i kalonte verdheblutë në avantazh, por Kotorri ka treguar aftësitë e tij, duke neutralizuar rastet e skuadrës mike.

Në pjesën e dytë, Elbasani e nis sërish më mirë, duke qenë tepër "dinak" në kundërzbritjet e tij. Në minutën e 51-të Bejzade i kishte të gjitha mundësitë për ta kaluar skuadrën e tij në avantazh, por mrekullia e ka emrin Kotorri, i cili i mohon gëzimin e golit sulmuesit shtatlartë. Ndërkohë që më pas edhe Abazaj i ka pasur të gjitha mundësitë për të shënuar. Me gjithë ndërrimet e kryera nga të dy pankinat respektive, ku janë aktivizuar për Dinamon Jusufi, Ferraj dhe Sefa, ndërsa për verdheblutë Bakalli, Hyshmeri dhe Mehmetaj, rezultati deri në fund ka qenë i bardhë 0-0. Loja sulmuese e skuadrës kampione në fuqi nuk u ngrit në asnjë moment në nivelin e kërkuar. Trajneri Zllatko Daliç ka pritur me padurim reagimin e këtij reparti të skuadrës që ai drejton, por me sa duket sulmi vazhdon të jetë ende "pika e dobët" për blutë. Një Petriçeviç në "hije", ndërkohë që Sebino Plaku është munduar, por edhe paraqitja e tij nuk është ajo më e mira që tifozëria dinamovite dhe opinioni sportiv në Shqipëri janë mësuar të shikojnë prej tij. Gjithsesi, nuk duhen "ngrënë" meritat e mbrojtjes së Elbasanit (asnjë gol të pësuar në 4 javë), e cila ishte tepër e vendosur në ndërhyrjet e saj, ndërkohë që edhe portieri Osmani ka qenë tepër i sigurt në këtë takim. Javën e ardhshme Dinamon e pret një transfertë e vështirë në Lushnjë, ku trajneri Daliç dhe të besuarit e tij do të kërkojnë fitoren e parë jashtë fushe. Ndërsa Elbasani do të përballet në fushën e tij në derbin e prefekturës me skuadrën simpatike të Shkumbinit. Ndërkohë, në dy takimet e tjera që Ulan siparin e javës së katërt të superligës, Teuta dhe Partizani janë ndarë në paqe pas barazimit të bardhë 0-0 të arritur në fushën asnjanëse të Shijakut. Fitorja e vetme e ditës i ka tatuar Bylisit, që ka mposhtur Lushnjën me golin e Bakiut. Vlen të theksohet se në këtë ndeshje nuk ka munguar nervozizmi, teksa janë ndëshkuar tre lojtarë me kartonë të kuq, një për ballshiotët dhe dy për verdhjeshilët e Lushnjës.

Superliga

Java 4

Të shtunën

Apolonia - Tirana 0-2

Shkumbini - Besa 1-0

Flamurtari - Vllaznia 1-0

Dje

Dinamo - Elbasani 0-0

Teuta - Partizani 0-0

Bylis - Lushnja 1-0

Renditja

Tirana 10

Shkumbini 9

Elbasani 8

Vllaznia 7

Dinamo6

Flamurtari 6

Apolonia 4

Besa 4

Partizani 4

Lushnja 3

Bylis 3

Teuta 2

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›