E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli në fshatin me 1200 vjet burgime dhe internime

SARANDË - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ishte dje e pranishme në ditën përkujtimore të burrave, grave e fëmijëve të fshatit Mursi të qytetit të Sarandës, fshat me 1200 vjet burgime e internime. “Kjo është një ditë, në të cilën ne nderojmë ata që bënë të mundur që Shqipëria të jetë sot këtu ku është. Ne duhet t’i kujtojmë shumë shpesh banorët e këtij fshati me shpirt perëndimor, që vuajtën 1200 vjet burg dhe internime. Kjo është tragjike, mizore. Ai regjim ka qenë antinjerëzor, aq i pamëshirshëm sa nuk ka pasur shok në vendet e tjera ish-komuniste. Ndoshta kjo ka qenë arsyeja pse tranzicioni ynë ka qenë i vështirë. Por ne të gjithë bashkë, ndihemi mirë që po plotësojmë ëndrrën e tyre për liri. Sot ne kemi marrë ftesën për NATO, po mbyllim ratifikimin e MSA-së dhe ndoshta për pak muaj do të bëhemi anëtarë të NATO-s, të aleancës së lirisë, të asaj lirie për të cilën ata u sakrifikuan”,- tha dje Topalli para banorëve të fshatit të Mursi. Bashkë me përfaqësuesit e fshatit, Kryetarja e Kuvendit përuroi përmendoren me një pëllumb të bardhë mbi krye. Në çdo faqe të përmendores së ngritur me iniciativën e ish-të përndjekurve dhe mbështetjen e banorëve të fshatit, janë gdhendur emra të familjeve që e kanë pësuar më rëndë, mes të cilëve edhe 7 gra të dënuara politikisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›