Duro: Asgjë alarmante, për Hungarinë jam gati
"Mediat qipriote kanë zmadhuar gjithçka. Eshtë e vërtetë që kam pësuar një dëmtim në gju, por nuk ka asgjë serioze. Shumë shpejt do të jem në fushë." Ky është konfirmimi i mesfushorit të kombëtares, Klodian Duro, pas lajmit të dhënë të shtunën, se ai do të jetë të paktën 4 deri në 6 javë larg fushave. Po çfarë ka ndodhur me njeriun-gol të Omonias në ndeshjen e Kupës UEFA ndaj Mançester Sitit. Këtë Klodian Duro e tregon në një intervistë për "Sportin shqiptar", të dhënë dje nëpërmjet telefonit nga Nikosia.
- Cila është e vërteta e dëmtimit në ndeshjen me Mançester Sitin?- Gjithçka ka ndodhur në fundin e pjesës së parë, kur futbollisti i Mançester Sitit, Vinsent Kompani, më goditi në gju me takë. Edhe pse i sforcuar, kam mundur të luaj gjatë gjithë pjesës së dytë. Gjuri më është enjtur dhe tani kam nevojë për të pushuar.
- Mediat qipriote shkruanin se do të mungoni të paktën 4 javë. Çfarë ju ka thënë doktori?
- Dua të sqaroj se nuk ka asgjë për t'u shqetësuar. Kam kryer rezonancën dhe, për fat të mirë, gjithçka doli "ok". Doktori më ka thënë që duhet të rri një javë pushim dhe më pas do të nis normalisht stërvitjen. Për gati 1 muaj kemi luajtur 10 ndeshje dhe kjo natyrisht është një ngarkesë e madhe, kështu që nuk duhet të rrezikoj në vazhdim. Për sa u përket lajmeve të dhëna në mediat qipriote, mund të them se ato bëjnë hesapet e tyre. E kanë zmadhuar shumë këtë çështje, nuk është e vërtetë që do të rrijë 4 apo 6 javë pa luajtur. Nuk e di se kush nga klubi e ka nxjerrë këtë lajm, pasi prononcimi i doktorit ka qenë që Duro do të pushojë vetëm një javë. Gjithsesi, e rëndësishme për mua është që nuk ka ndonjë gjë serioze. Si me Omonian, ashtu dhe me kombëtaren, do të jem shumë shpejt në fushë.
- Duke ju uruar rikthim të shpejtë në fushë, këtë moment mund ta cilësoni si kulmin e karrierës suaj?
- Gjatë gjithë karrierës sime jam munduar të tregoj vlerat e mia, kudo që kam luajtur. Kur ndërron ekip dhe e nis në këtë mënyrë, natyrisht që ky moment mund të quhet kulmi për mua. Duhet të dimë që nuk është e lehtë të kalosh në një kampionat tjetër dhe të jesh protagonist. Jam shumë i lumtur, sepse t'u shënosh ekipeve si AEK-u, aq më tepër Mançester Sitit, nuk është pak.
- Vlerësimet për ju kanë qenë me superlativa. Madje mediat qipriote ju kanë cilësuar edhe "ikonë" e Omonias. Ç'mund të na thoni?
- Këtu në Qipro ndihem shumë mirë, sepse tifozëria e Omonias më ka pritur mirë. Më kanë përkrahur që në ndeshjen e parë. Sigurisht, edhe unë jam munduar të jap më të mirë dhe, përderisa luaj në një ekip të madh si Omonia, kërkohet edhe një impenjim tjetër. Kjo sidomos kur ke përballë kundërshtarë të njohur, çka të bën të japësh më të mirën.
- Kombëtarja është përpara një ndeshjeje shumë të rëndësishme me Hungarinë. Si e mendoni këtë përballje të parë në transfertë?
- Pa nënvleftësuar ecurinë e kampionatit në Qipro, mendja ime është te Hungaria. Kemi bërë një ekip shumë të mirë dhe tani na nevojitet vazhdimësia. I kemi të gjitha forcat për të marrë një rezultat pozitiv. Pikët në Hungari do të na krijojnë qetësinë e duhur për të përballuar pas katër ditëve edhe Portugalinë.
----------------------------------------------------------"Golin e festova poshtë flamurit shqiptar"
Klodian Duro tregon edhe një detaj interesant për tifozërinë "jeshile" të Omonias. "E ndiej ngrohtësinë e tyre, sepse në mes të tifozëve të Omonias nuk është pak të ketë edhe një flamur shqiptar. Pas golit me Mançester Sitin kam festuar poshtë flamurit kuqezi,"- thotë mesfushori i kombëtares.