Ndryshimet në rregullore, Turku: Masat penalizuese mund të zbuten
TIRANË Ashtu si deputetët e tjerë demokratë, edhe nënkryetari i Kuvendit, Ardian Turku, është kundër votimit të fshehtë në Kuvend, një prej propozimeve kyçe të PS-së për ndryshimin e rregullores, ndërkohë që sheh të arsyeshme zbutjen e masave penalizuese ndaj deputetëve. “Masat që janë marrë atëherë mund të rishikohen, mund të zbuten, kryesisht në drejtim të pagesës së deputetëve. Gjithsesi, mospjesëmarrja në jetën parlamentare nuk shpërblehet me një pagesë të plotë", - tha Turku. Nënkryetari i Kuvendit ka komentuar edhe qëndrimin e kryetarit të PS-së, Edi Rama, ndaj ligjeve me shumicë të cilësuar, duke shtuar se, për pasojë, nuk pritet asgjë pozitive për Shqipërinë lidhur më kërkesën për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE.
"Në të vërtetë, me deklarimet e djeshme të liderit të opozitës, unë nuk kam shumë shpresë për këtë. Përsëri dëshiroj që të ndodhë çudia në momentet e fundit, por tashmë i kam humbur shpresat", - tha Turku. Nënkryetari i Kuvendit u shpreh i bindur se opozita nuk do të japë votën për ligjet që kërkojnë 3/5-at e votave në Kuvend. Ai shtoi se në mungesë të një programi elektoral në zgjedhjet e 2009-s, socialistët do t’i përdorin këto projektligje që kërkojnë shumicë votash si program të vetin për zgjedhjet e vitit 2013.