E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot seanca, mazhoranca drejt tërheqjes së ligjeve me 3/5

Mazhornca dhe opozita do të përballen sot në seancë plenare në Kuvendin e Shqipërisë për projektligjet që kërkojnë 84 vota. Megjithatë, debati pritet të jetë vetëm në kuadrin politik, pasi mazhoranca duket se nuk do të rrezikojë t’i hedhë për votim këto nisma ligjore, duke ditur që opozita nuk do t’i votojë. Burime nga mazhoranca kanë bërë të ditur se futja e këtyre projektligjeve në kalendar nuk do të thotë që ato të hidhen për votim, pa marrë paraprakisht pëlqimin e socialistëve për t’i votuar ato. Sipas të njëjtave burime, mësohet se në rast se deri nesër kur dhe pritet të mbahet Konferenca e Kryetarëve, nuk do jetë bërë e mundur arritja e një konsensusi për t’i votuar këto nisma ligjore që kërkojnë të ndryshojnë disa kode, atëherë me shumë mundësi palët do të bien dakord për t’i hequr ato nga rendi i ditës, ashtu siç edhe u bë me projektligjin për Gjykatën Administrative. Ky është një veprim i detyruar, pasi, nëse këto projektligje do hidheshin për votim dhe nuk do mund të miratoheshin, atëherë për t’i rifutur sërish në procedurë parlamentare do duhet të kalonin 6 muaj. Dy ditë më parë Kuvendi i Shqipërisë publikoi rendin e ditës të seancës së sotme, ku në të ishin përfshirë dhe 12 nisma ligjore që për t’u miratuar kërkojnë të paktën 84 vota. Më konkretisht, bëhet fjalë për katër nisma legjislative që synojnë të ndryshojnë Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, dy nisma të tjera që tentojnë të ndryshojnë Kodin Detar të Republikës së Shqipërisë, tri nisma që ndryshojnë Kodin Rrugor, një nismë tjetër që propozon ndryshime në Kodin Hekurudhor, një në Kodin Civil, dhe një nismë e veçantë për Kodin Ajror. Një veprim ky që erdhi vetëm një ditë pasi opozita kërkoi nëpërmjet kryetarit të saj tërheqjen e tyre nga kalendari dhe rishqyrtimin sipas një platforme kombëtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›