Ujësjellësi i Tiranës, aksion kundër lavazheve
UK, ndërpret punën e 80 lavazheve në kryeqytet, të cilët përdornin për aktivitetin e tyre ujë të pijshëm
Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve në Tiranë ka nisur aksionin për shkëputjen e lidhjeve të paligjshme në rrjetin e shpërndarjes. Më shumë se sa tek përdoruesit familjarë ky aksion është përqendruar në lavazhet e kryeqytetit, biznese këto të cilat aktivitetin tyre në të shumtën e rasteve e kanë të ngritur mbi shfrytëzimin e ujit të pijshëm. Aktualisht në kryeqytet zhvillojnë aktivitetin e tyre rreth 200 lavazhe, një pjesë e mirë e të cilëve përdorin ujin e pijshëm, të cilin e sigurojnë nëpërmjet ndërhyrjeve në rrjetin e shpërndarjes së ujësjellësit të Tiranës. Gjatë këtij aksioni të ndërmarrë nga Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime janë shkëputur nga rrjeti vetëm 80 prej tyre. Aksioni i ujësjellësit është shoqëruar me kundërshtime të shumta nga ana e pronarëve të lavazheve. Por konflikti i krijuar me tyre dhe punonjësve duket se anon më së shumti nga drejtuesit e lavazheve, të cilët deri më sot kanë vazhduar pa u shqetësuar biznesin e tyre. Sipas drejtuesve të Ujësjellësit të Tiranës tashmë ka ardhur koha që këto "biznese", të cilat shfrytëzojnë ujin e pijshëm, më në fund të mbyllin dyert. Ndërprerja e lidhjeve ta paligjshme në rrjet, si dhe disa investime që pritet të kryhen në prag të verës, përbëjnë formulën e zgjidhjes së ujësjellësit për përmirësimin e furnizimit më ujë të kryeqytetit gjatë stinës së nxehtë. Më parë, drejtoria e Ujësjellësit i ka penalizuar lavazhet që kishin ndërhyrë në rrjet nëpërmjet gjobave, por pavarësisht kësaj praktike, punonjësit e ujësjellësit deklarojnë se bizneset sërish kanë tanuar të ndërhyjnë në tubacionet e ujit. Eliminimi i humbjeve në rrjet është një nga sfidat e drejtorit Sahit Dollapi. Madje, ai ka premtuar përmirësim të dukshëm të furnizimit me ujë në Tiranë, produkt që nga 1 marsi kryeqytetasit e paguajnë me dyfishin e çmimit.