Plazhi; Shqetësimet që vijnë nga dielli, deti dhe rëra
Ditët e para të plazhit kanë nisur dhe shumë kush prej nesh apo edhe ata që do të shkojnë në ditët në vijim duhet të dinë shqetësimet që vijnë prej tij.
Teksa shkojmë në bregdet e vetmja gjë që mendojmë është të bëjmë pak pushim apo edhe të nxihemi çokollatë. Atëherë kujdes! Pasi edhe qëndrimi në diell apo kontakti i tepruar me rërën dhe detin ka pasojat e veta.
Specialistët dermatologë dhe mjekët infeksionistë nuk ngurrojnë të japin këshillat e tyre. Kjo vjen pasi shpeshherë qytetarët veprojnë jo në mënyrën e duhur. Ata qëndrojnë tej masës së këshillueshme në diell duke shkaktuar sëmundje të ndryshme për lëkurën. Situata përkeqësohet akoma më shumë nga kontakti i lëkurës dhe i syve me rërën e pistë apo me detin, duke sjellë infeksione me pasoja të mëvonshme.
Mjekët dermatologë dhe ata infeksionistë këshillojnë sa më shumë kujdes me ekspozimin tonë në rrezet përvëluese gjatë orëve të pushimit në bregdet.
Pasi gjatë pushimeve në plazh shfaqen disa infeksione të lëkurës që mund të japin probleme të vogla shëndetësore që lidhen me lëkurën, të cilat vijnë nga njohuria e dobët e njerëzve që kanë për shëndetësinë në përgjithësi po dhe për disa faktorë patologjikë të cilët dëmtojnë rëndë lëkurën. Shumë prej këtyre problemeve varen nga faktori mjedis, lidhja diell-det-rërë.
Ekspozimi
Dielli krahas efektit pozitiv që influencon në shëndetin e njeriut mund të bëhet shkak për disa patologji, që vijnë nga ekspozimi pa kriter ndaj rrezeve ultra violet dhe sidomos ato infra të kuqe, të cilat hasen nga ora 10 e mëngjesit deri në orën 16 pasdite.
Për këtë shpesh këshillohet mbrojtja ndaj këtyre rrezeve duke evituar kështu qëndrimin për orë të gjata në diell dhe përdorimin e produkteve mbrojtëse.
Patologjia më e shpeshtë në këto raste është Dermatiti Solar si dhe Combustoni i gradës së parë, që manifestohet me skuqje, nxehje, dhimbje të lëkurës. Kjo është e theksuar tek fëmijët dhe lëkurat me më pak melaninë (biondët).
Një rrezik tjetër që haset gjatë ekspozimit ndaj rrezeve ultraviolet apo infra të kuqe është edhe acarimi i nishaneve, si dhe pigmenteve të tjera të vogla të lëkurës.
Këto të fundit janë elementë të dyshimtë për melanoma (tumor malinjë e pigmentit melaninë) duke aktivizuar kështu qelizat malinje të këtyre elementëve.
Ky është një problem për të cilin është folur shumë nga mjekët dermatologë dhe onkologë.
Deti veç kënaqësive të shumta që na fal, rrallë herë mund të bëhet shkak edhe për dalje e elementëve alergjikë të lëkurës. Këto elementë vihen në dukje tek njerëzit në formën e puçrrave të kuqe të vogla që shpesh provokojnë kruajtje dhe bezdisin personin.
Këto dermatite alergjike mund të lindin gjatë kontaktit të lëkurës në ujë, me ndonjë algë apo bimë tjetër ku ai/ajo person ka alergji ndaj këtyre agjentëve bimorë.
Shkak për shfaqjen e këtyre dermatiteve alergjikë bëhen lëndë të ndryshme kimikate, të sjella në dete nga lumenjtë apo përrenjtë që derdhen aty.
Veç të tjerave nuk përjashtohen gjithashtu edhe infeksionet purulente të lëkurës. Këto lëndë përveç fenomeneve, influencojnë në mbylljen e poreve te lëkurës (kur bien në kontakt me lëkuren) duke favorizuar kështu shfaqjen e folikuliteve apo rrallëherë edhe furunkulave. Rreziku me i madh për shfaqjen e tyre ndodh nëse mbas daljes nga deti nuk behet shpëlarja e shpejt.
Rëra
Edhe nga rëra në plazhe mund të merren disa infeksione të lëkurës kryesisht ato mukotike që i marrim në rërë apo në ambiente të tjera të plazhit, qofshin ato sportive apo gjetiu ku persona të sëmurë me epidermofite të këmbeve kanë lëshuar mugëtat.
Si infeksion më të rëndësishëm mykotik duhet përmendur epidermofiti i këmbëve, infeksion ky që merret edhe nga veshja e shapkave të plazhit të personave të tjerë që kanë këtë patologji. Sëmundja shkaktohet nga agjente infeksioz mykotik të quajtur epidermofitone qe janë te llojeve te ndryshëm dhe ndodhen ne lëkuren e këtyre personave.
Epidermofitia e këmbëve paraqitet me skuqje në mes të gishtërinjve, rrjepjen dhe kruarje të tyre. Në rastet kur sëmundja avancon mund të infektohet e gjithë shputa dhe anash këmbës. Këta të sëmurë lëshojnë bashkë me petëza të holla të vogla të lëkurës së këmbëve të sëmura dhe micele epidermafitonesh në tokë, shapka, shezllone etj.
Pityriasis versicolor është një tjetër infeksion mykotik sipërfaqësor që mendohet se mund të merret edhe në plazh dhe shkaktohet nga një agjent mykotik i quajtur malassezia furfur.
Kjo sëmundje e lëkurës paraqitet me njolla të zbardhura mbi lëkuren e shpatullave, gjoksit, krahëve dhe qafës. Mund të gjendet në vatra të vogla të veçuara apo dhe të bashkuara që marrin formën e hartës. Nganjëherë këto vatra janë më të pigmentuar se lëkura e shëndoshë. Disa njerëz këto njolla ose vatra i quajnë gabimisht si mungesë vitaminash duke e konfonduar si vitiligon. Edhe pse studimet mbi këtë dermatoze mykotike nuk kanë formuar akoma karakterin ngjitës (infektiv), përsëri mendohet se këtë infeksion mund ta marrësh në plazh gjatë fshirjes së trupit me peshqir "kolektiv" apo shezllone.
Infeksionet
Një mundësi tjetër janë dhe dushet e shpeshta tek persona seborroikë, duke e bërë kështu lëkurën të përshtatshme për të marrë pitirosporonet.
Si përfundim vlen të përmendet dhe një infeksion tjetër që mund të merret në plazh. Është fjala për scabies e shkaktuar nga sarcoptes (acarues). Scabie është një parazit mjaft i vogël që nuk shihet me sy. Infektimi bëhet nga fjetja në jastëkët (ndoshta dhe të pastra), por që kanë fjetur një orë ose një natë më parë persona të infektuar me këtë parazit, duke i lëshuar këta të fundit në çarçafë. Personi "viktimë" mund të infektohet menjëherë sapo shtrihet për të fjetur në këta jastëkë.
Sëmundja manifestohet më të kruara të shumta të trupit kryesisht bark, krahë, sipërfaqe ku lëkura është më e hollë. Në këto zona dalin puçrra të vogla të kuqe sa koka e gjilpërës çifte-çifte. Kruarja dhe shqetësimi prej tyre ndodh kryesisht natën. Të gjitha këto patologji të lëkurës që përmendën më sipër duhen pasur parasysh nga çdo person që shkon për pushime në plazh, në mënyrë që në një farë mase ti shmanget këtyre infeksioneve apo afeksioneve të lëkurës, duke mos u larguar kështu nga plazhet me patologji të këtilla.