E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO , ëndrra evropiane e vendit tim

Ndihem vërtet mjaft i privilegjuar e krenar që i drejtohem Këshillit të Atlantikut të Veriut në këtë ditë tepër të veçantë. Tre muaj më parë, në Bukuresht, NATO-ja ftoi Shqipërinë dhe Kroacinë për të filluar bisedimet e pranimit që do të çonin në plotësimin e aspiratës madhore kombëtare të shqiptarëve, anëtarësimi i plotë në NATO. Sot, ne e sjellim këtë proces një hap më afër përfundimit duke shënuar fundin e suksesshëm të bisedimeve midis Shqipërisë dhe NATO-s, duke nënshkruar Protokollet e Anëtarësimit. Dita e sotme shënon kurorëzimin e përpjekjeve të gjata dhe të vendosura të Shqipërisë si dhe kurorëzimin e arritjeve të saj. Është dashur një punë e gjatë dhe e madhe, këmbëngulje dhe angazhim i patundur si dhe ndihma e vyer e miqve dhe partnerëve tanë në Aleancë. Përfitoj nga rasti për t’i përsëritur këtij Këshilli mirënjohjen tonë për mbështetjen e jashtëzakonshme si dhe për bashkëpunimin e ofruar gjatë këtyre viteve. Mirënjohja ime shkon gjithashtu për Sekretarin e Përgjithshëm, Jaap De Hoop Scheffer dhe stafin ndërkombëtar për kontributin e tyre të palodhur dhe të vyer.

Gjatë këtyre viteve, Shqipëria ka shënuar progres të dukshëm në të gjitha reformat e saj. Ajo ka forcuar institucionet e saj demokratike dhe ka konsoliduar shtetin ligjor. Ekonomia shqiptare gëzon një rritje nga më të shpejtat në rajon, me potenciale të mëdha për të ardhmen. Klima e biznesit është mjaft e favorshme dhe gjithnjë e më tërheqëse për investitorët e huaj. Reformat elektorale dhe juridike po zhvillohen shpejt, me një mbështetje të madhe të konsensusit politik.

Shqipëria është shtyllë e stabilitetit në rajon. Politika e jashtme e Shqipërisë rrezaton moderim, dialog dhe bashkëpunim rajonal, si vlera të saj thelbësore. Shqipëria dhe shqiptarët besojnë dhe mbështesin fuqimisht projektin evropian dhe euro-atlantik të rajonit.

Forcat e Armatosura Shqiptare kanë ndërmarrë transformime dhe modernizim thelbësor dhe sot shërbejnë krenarë, krah për krah aleatëve të tyre të NATO-s.

Ftesa në Samitin e Bukureshtit konfirmon këto arritje.

Unë sjell këtu vendosmërinë e qeverisë shqiptare, dhe në fakt, të gjithë faktorit politik dhe popullit shqiptar, për të ecur më tej në rrugën e reformave për të konsoliduar institucionet demokratike, shtetin ligjor, të drejtat dhe liritë e njeriut si dhe për të ecur më tej drejt një ekonomie moderne dhe të zhvilluar, bazuar tërësisht në vlerat e tregut të lirë.

Përfitoj nga rasti që në emër të qeverisë dhe popullit shqiptar të shpreh besimin tonë të plotë për një proces ratifikimi të shpejtë.

Me Shqipërinë dhe Kroacinë, tërësisht në rrugën për anëtarësim të plotë në NATO, rajoni ynë është bërë më i sigurt se kurrë më parë. Vazhdimësia e politikës së dyerve të hapura të NATO-s, përcjell një mesazh të fuqishëm inkurajimi për reformatorët në vendet e tjera të rajonit, të cilët, shpresojmë t’i mirëpresim së shpejti në gjirin tonë.

Do të doja të konfirmoja se Shqipëria pranon të gjitha detyrimet dhe angazhimet e Traktatit të Atlantikut të Veriut për të plotësuar kërkesat e anëtarësimit në NATO, sikurse janë parashtruar në Studimin për Zgjerimin e NATO-s, të vitit 1995 dhe do të respektojë detyrimet dhe qëndrimet e evidentuara gjatë bisedimeve të fundit për pranim.

Shqipëria bën të vetin Konceptin Strategjik të NATO-s dhe synon të marrë pjesë plotësisht në strukturat ushtarake të NATO-s dhe planifikimin kolektiv të mbrojtjes si dhe do të vazhdojë të angazhojë forca dhe kapacitete për të gjitha misionet e Aleancës.

Shqipëria merr përsipër që të shpenzojë burime financiare të mjaftueshme për zbatimin e angazhimeve të saj pas anëtarësimit në Aleancë dhe është e vendosur të vazhdojë të ruajë të njëjtën përqindje në buxhetin e mbrojtjes, në masën 2% të GDP-së.

Shqipëria njeh dhe pranon se Aleanca bazohet në bashkësinë e ideve, në lidhje me parimet e konsensusit dhe do të punojë për konsensusin në Aleancë.

Rrallë ka ndodhur që një vend, i cili ka luftuar për lirinë e tij, të udhëtojë kaq gjatë dhe kaq i vetmuar në horizontet e historisë së tij. Izolimi, i detyruar apo i vetëimponuar ka shoqëruar historinë e vendit tim. Ajo është një histori në kërkim të pandërprerë të ëndrrës evropiane. Ne kemi luftuar shumë dhe kemi vuajtur po kaq shumë. Por e ardhmja lind nga sakrificat.

Në muzgun e betejave tona për liri ne farkëtuam shpresën tonë që të ribashkohemi me popujt e lirë të familjes euro-atlantike.

Sot, ndërsa po nënshkruhen protokollet e anëtarësimit, shqiptarët ndiejnë gëzimin e peshës së madhe të këtij momenti, për historinë tonë kombëtare. Kurrë në të ardhmen nuk do të jemi më të vetmuar në rrugën tonë në mbrojtje të lirisë.

Ne do të ecim dhe rritemi bashkë dhe kurrë nuk do të na ndajë tirania dhe shtypja, do të jemi të bashkuar përmes vlerave të përbashkëta të dashurisë për lirinë, respektit për dinjitetin njerëzor dhe mundësitë e barabarta që ofron ligji. Këto vlera që janë të çmuara për ne, këto të vërteta të palëkundshme përbëjnë enzimën e gjakut tonë të përbashkët, shtyllat e identitetit tonë të përbashkët, kjo na bashkon dhe na bën më të fortë, për këtë luftojmë, e për të cilën ata burra dhe gra që janë në shërbim, janë gati të sakrifikojnë jetët e tyre sa herë këto vlera vihen në rrezik.

* Ministër i Jashtëm. Fjala në takimin e NAC-së, për nënshkrimin e Protokolleve të Pranimit të Shqipërisë në NATO

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›