E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreziku i dosjeve

Para pak ditësh u përkujtua rënia e “Murit Shqiptar të Berlinit”, 2 korriku i vitit 1990. Tani, pas 18 vjetësh, pyesim: A është rrëzuar plotësisht ky “mur” simbolik i regresit dhe disavantazhit historik, i cili na ndau për 50 vjet nga pjesa tjetër e Evropës? Përgjigjja vjen vetvetiu kur sheh realitetin e trishtë që po jetojmë. Ka ende mure të fortë dhe absurdë brenda nesh e që na ndajnë nga njëri-tjetri, mure që kanë zaptuar sjelljet dhe zakonet tona. Kjo ndoshta është arsyeja që në shoqërinë tonë demokratike gjithçka ka ndryshuar, por asgjë nuk ecën siç duhet. Njerëzit kanë humbur busullën shpirtërore, i shohin me dyshim politikëbërësit dhe kanë pak besim në projekte reforme. Shkak nuk është vetëm dobësimi i autoritetit të lidershipit politik. Për mendimin tim dhe të një opinioni të gjerë njerëzish, tolerimi i ish-spiunëve të Sigurimit famëkeq të Shtetit i ka ngritur barriera të rrezikshme institucioneve të Shtetit të së Drejtës dhe procesit demokratik, duke kërcënuar deri integritetin e sistemit politik, duke prodhuar një demokraci pa dinjitet, të depersonalizuar, pa forcë morale dhe politike. Shkurt, çmimi që kemi paguar e paguajmë për moshapjen e dosjeve dhe ndalimin me ligj të ish sigurimsave për të ushtruar veprimtari publike, është i lartë. Për ironi të fatit, shoqëria shqiptare, ende pas kaq vitesh, vuan nga frika, pasiguria, ngërçi institucional dhe, rrjedhimisht, e konsideron veten fatkeqe dhe tersndjellëse. Grupet e individëve përgjithësisht nuk bëhen bashkë me njëri-tjetrin, vetëm e vetëm se mes tyre qëndron ndonjë ish-spiun me karrierë politike apo shtetërore administrative. Në një masë të madhe njerëzish ka një dozë ngurrimi për t’u përfshirë në proceset demokratike, kur dihet që demokracia është dinamikë e shtrirjes në bashkësi dhe jo përjashtim. A nuk është krekosja e ish-spiunëve në administratën shtetërore shkelje e të drejtave të atyre njerëzve që kanë qenë subjekte të persekutimit komunist dhe armës së tij më të egër e besnike, Sigurimit të Shtetit? Kjo është jo vetëm e rëndë, por paksa edhe perverse, nga pikëpamja morale. Përse duhet të sakrifikohen interesat demokratike e kombëtare me forma të tilla nënvleftësimi, neglizhimi, mashtrimi apo lëndimi? Dhembjet që kaluan të dënuarit politikë dhe gjithë shqiptarët e rebeluar nga padrejtësitë e atij regjimi, nuk ishin sipërfaqësore. Ato i gjymtuan ata edhe shpirtërisht. Ndaj veprimtaria e atyre që u bënë spiunë të një pushteti i cili shpërdoroi besimin e njerëzve, që vrau shpresën demokratike dhe varrosi dinjitetin kombëtar, nuk ka asnjë përligjie. Ish-sigurimsat janë individë që kanë konsumuar, në pjesën dërrmuese, krime të pastra, pasi kanë shkelur dhe injoruar të drejtat kushtetuese, njerëzore e morale të qytetarëve, me veprime të paramenduara, duke degraduar dhe shkelur të drejtat natyrore të personave në mënyrë tepër serioze, deri në rrezikim të lirisë e në krime monstruoze. Dosjet e tyre kërkojnë një shqyrtim të kujdesshëm dhe publikim të hapur nëpërmjet Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit. Të dihet deri në ç’masë ata uzurpuan autoritetin e shtetit, kërcënuan strukturën bazë të shoqërisë, duke shpartalluar krejt shoqërinë, për t’u shërbyer tekave dhe qëllimeve politike të diktaturës. Nga faktet dhe dëshmitë që janë bërë publike, duket qartë se veprimtaria e tyre ka sjellë dëme të pakompensueshme. Si mund të kompensosh dikë pasi e ke vrarë, e ke ndarë nga familja, e ke burgosur pa asnjë faj, e ke torturuar dhe i ke humbur edhe varrin? Qëndrimi i ish-sigurimsave në poste politike apo administrative është shantazh i hapur krye së pari në kurriz të ish-të dënuarve politikë, në kurriz të njerëzve të ndershëm, në kurriz të demokracisë dhe të ardhmes evropiane. Ata vazhdojnë të jenë rrezik imediat për dëme serioze dhe të pazëvendësueshme, për paqen dhe unitetin e kombit. Shqipëria duhet të dalë urgjentisht nga ky batak moral, intelektual e ligjor, ashtu siç kanë bërë gjithë vendet e Lindje ish-komuniste. Morali nuk është dhe nuk duhet konsideruar një rrangull pa vlerë. Ndryshe nuk mund të krijojmë dot një traditë demokratike dhe historia jonë e re nuk mund të lëvizë lirisht. ǒt’i themi tani, pas kaq vjetësh, familjeve të nderuara të Bakallajve, Dostajve, Kokoshajve, Elezajve, Turdinjve, Protopapajve, Familjes së korifeut të Klerit Katolik, Patër Pjtër Marshkalla, familjes së Osman Kazazit, Petrit Velajt, Ethem Carës, Xhevdet Kapshticës, Xhemal Frashërit, Reshat Karapicit, Xhevat Kallajxhiut, Xhevat Korçës, Hysni Alimerkos, Bego Gjonzenelit, e shumë të tjerëve, që i ranë pash më pash nëntë rrathëve të ferrit komunist pa iu dridhur qerpiku dhe pa iu shuar buzëqeshja, vetëm se ushqyen e mbajtën gjallë vizionin e rilindasve nacionalistë si pasues të Mid’hat Frashërit? T’u themi se dosjet e persekutorëve të tyre do të mbulohen nga pluhuri i harresës dhe nuk do të hapen kurrë? A nuk duhet një përkrahje morale për këto familje patriotësh dhe për gjithë shqiptarët e ndershëm, që e përjetuan në forma të ndryshme hijen e Sigurimit dhe hijen po aq të zezë të prokurorëve e gjyqtarëve sadistë të diktaturës? Le të sjellim vetëm shembullin e martirit nacionalist vlonjat Petri Velaj, një nga Mandelat e Shqipërisë së djeshme, dishepull i Ballit Kombëtar, i cili vuajti një dënim apokaliptik afro 40 vjet në burgjet komuniste, për të kuptuar deri ku arriti monstruoziteti i atij regjimi dhe i veglave qorre të tij. Ja ç’kujton Petriti në librin e tij me kujtime “Një dritare burgu…”: “…Në degën e Brendshme më pritën me arrogancë Hito Çako, kryetari i Degës dhe Qatip Dervishi, nënkryetari. Më izoluan te dhoma në hyrje të burgut, edhe pse isha i dërrmuar. Më thirri hetuesi, Namik Cakrani, i cili dënoi edhe babanë e tij me vdekje. Hetimet ishin sa për sy e faqe. Hetuesi kishte mbushur me dhjetëra fletë dhe m’i vuri përpara. Më vunë në bankën e të akuzuarve. Kur Prokurori Lufter Hoxha kërkoi dënimin tim me vdekje m’u duk se edhe tavani kinemasë së Çupishtit u bë i zi si zemra e prokurorit. Pyetja që më bëri kryetari i gjyqit, Qemal Klosi, ishte: Akuzohesh se ke sabotuar luftën Nacional Çlirimtare, duke propaganduar Ballin Kombëtar”. Përgjigjja ime ishte: I vetmi debat që ka qenë mes nesh ishte se unë me shokët e mi donim Shqipërinë me Kosovën e Çamërinë, ndërsa ata thoshin “të bëjmë luftën, pa të shohim...” Ndërkohë më sulmon ashpër prokurori L. Hoxha, duke më thënë: “Ti Petrit, more rrugën e tradhtisë...”. Unë e dëgjova dhe iu përgjigja aty për aty: “Nuk e di në quhesh tradhtar kur e do Shqipërinë dhe lufton për të”. Dyzet vetë të lidhur me një zinxhir... Ashtu siç ishim na çuan në burgun e Burrelit. “Një ditë na erdhi për vizitë në burg Ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu. Erdhi drejt e në qelinë ku më kishin izoluar mua. Më dha dorën. Pasi më pyeti për shëndetin, iu drejtua atyre që e shoqëronin”. E kam pasur shok gjatë Shkollës Tregtare dhe Luftës Antifashiste. Ky është në burg, unë u bëra ministër. Kam në dorë t’i bëj edhe mirë edhe keq. U ndamë se ky donte Shqipërinë etnike. Por ja që gaboi, ja ku ka përfunduar. Pas kësaj më thirri në një nga zyrat e burgut. Më tha këto fjalë: “Dëgjo Petrit, po të flas si në vitet e shkollës dhe të luftës. Dua të të ndihmoj. Të propozoj që qysh nesër të vish e të punosh në Ministrinë e Brendshme. Mund të të nxjerrim edhe jashtë shtetit për shërbime sekrete. Puna që do të bësh ti do t’i vlejë atdheut, partisë dhe familjes tënde. Unë po të dal nga borxhi. Përgjigjen po deshe jepe tani, ndryshe mund të pres edhe 3-4 ditë. Si thua? Unë nënqesha dhe ia prita aty për aty: “Rruga që ke zgjedhur ti nuk është e denjë për mua”. Kadriu u zemërua. U ngit në këmbë dhe lëshoi ca gulçima, si një i dehur që fliste me vete”. Aty nga mesi i vitit 1972 më arrestuan sërish. Aktakuza ishte firmosur nga Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, Dhori Panariti dhe kryetari i Hetuesisë së Republikës, Vangjel Kote. Kishin kaluar më shumë se 40 ditë, kur më thirri Shtabi i Degës së Brendshme. Më thanë të vihesha në shërbim të tyre, Do më jepnin edhe revole në brez vetëm t’u shërbeja atyre... U thashë se unë mbroj vetëm idealin kombëtar dhe nuk mund të vihem në shërbim të atyre që duan t’u marrin jetën të tjerëve... Dëshmitarët e mi ishin LL.LL., A.C. dhe SH.H. Si shpërblim u dhanë falas nga një gomar nga të kooperativës”.

Siç shihet edhe në shënimet e zotit Velaj, është pa diskutim një fakt tjetër rrëqethës se shumë nga prokurorët, gjyqtarët apo funksionarët e Sigurimit ishin shumë të ndjeshëm në procedurat e vendimmarrjeve, duke i gjykuar çështjet në mënyrë mekanike e shpeshherë tejet cinike, në përputhje me urdhrat politiko-sadistë të krerëve të regjimit. Dëshmi të ngjashme kanë dhënë edhe shumë të dënuar të tjerë politikë, si A. Musta, F. Lubonja, P. Arbnori, O. Kazazi, H. Laze etj., që i kanë njohur dhe përjetuar këto procedura deri në vitin 1990. Prandaj dosjet duhet të hapen edhe për këtë kategori ish-zyrtarësh persekutorë, që kanë shkelur të Drejtën Civile apo Penale. Që t’u kërkosh sot Gjykatave dhe institucioneve të Drejtësisë të rrisin efektshmërinë, do të thotë t’u kërkosh në fakt të prodhojnë një rezultat konkret. Po a mund të arrihet ky rezultat kur ende nëpër gjykata dhe institucione të tjera të drejtësisë presin të dalin në pension prokurorë e hetues, të cilët janë mësuar që ligjet e së Drejtës t’i delegjitimojnë sipas qejfit dhe orekseve politike? A mund të arrihet ky rezultat kur sot ka në gjyqësor njerëz që kanë mbaruar shkollën e Sigurimit të Shtetit dhe me disa provime plotësuese janë bërë gjyqtarë e prokurorë. Për të pasur forcë përligjëse të pavarur, organet e Drejtësisë duhet të çlirohen një orë e më parë nga këta ish-gjykatës, ish-prokurorë dhe ish-hetues. Vetëm një themel i mirë na hap rrugën për të shkuar përpara, pas një praktike kaq të gjatë dhe të hidhur me ish-sigurimsa, ish -gjyqtarë e ish- prokurorë në politikë dhe në hallka kyçe të pushtetit. Shoqërisë shqiptare dhe integrimit të saj i duhet pikësëpari një dimension i ri moral, me qëllim që të injorohet e të harrohet njëherë e mirë kjo traditë e keqe e poshtërimit dhe skepticizmit, me qëllim që qytetarët të mos humbasin besimin në rendin politik, të mos lëkunden në ndjenjat e tyre të besnikërisë ndaj institucioneve përfaqësuese të demokracisë. Vetëm pasi të jetë kuptuar kjo dhe spiunët apo ish-të inkriminuarit e diktaturës të jenë shkulur me ligj nga institucionet demokratike, do të jemi në gjendje të ndeshemi në një mënyrë më të zgjuar dhe inteligjente me fatin tonë evropian perëndimor, që është prioriteti i prioriteteve aktuale, vetëm kështu do mund të krijojmë një traditë demokratike, për të rritur besimin në vetvete dhe tek e ardhmja.

*Kryetar i PBKD-së

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›