Ndryshimet statutore në PD, për të ruajtur stabilitetin e strukturave
Deklaron deputeti i PD-së dhe kryetari për degën e Tiranës, Aldo Bumçi
Me mbajtjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike më 12 dhjetor, krahas analizës dhe çështjeve të tjera të brendshme që priten të diskutohen, selia blu parashikon edhe ndryshime në statut. Kryetari i PD për Tiranën Aldo Bumçi u shpreh dje se ndryshimet e pritshme në statutin e kësaj force politike, në të gjitha rastet duhet të garantojnë një parti të fortë dhe funksionale edhe në rastin kur ajo është në pushtet. Kështu Bumçi nuk përjashton edhe sanksionimin në statut të ndarjes së posteve ministrore me ato drejtuese në parti, në rast se kjo i shërben qëllimit.
Partia Demokratike për herë të parë do të vendosi një rregull për ndarjen e posteve drejtuese të saj. Të gjithë sekretarët si edhe funksionet kyçe në parti nuk do të mbahen më nga të njëjtët individë të cilët drejtojnë kabinetet qeveritare apo pozicione të tjera në administratë.
Një veprim i tillë vjen në përpjekje për të ruajtur një ekuilibër mes zyrtarëve që do të angazhohen në qeverisje dhe atyre që do të marrin më shumë përgjegjësi në parti. Një gjë të tillë e ka paralajmëruar edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Në të njëjtën linjë është shprehur dhe deputeti Fatos Beja, i cili ka theksuar se një parti në qeverisje ndjen gjithmonë nevojën e mbështetjes nga strukturat për çdo ligj që bën qeveria.
“Mënyrat ekstreme nuk janë asnjëherë të mira, pasi nëse gjithë drejtuesit e partisë do të vendosen të gjithë në pushtet, atëherë në parti nuk do të mbetet askush dhe kjo do të sjellë humbjen e forcës së PD-së. Një parti në qeverisje ndjen gjithmonë nevojën e mbështetjes nga strukturat për çdo ligj që bën qeveria”, është shprehur Beja.
Sipas tij, mbajtja e dy posteve të rëndësishme, në qeveri dhe në parti, është e kufizuar edhe për shkak të mungesës së kohës fizike për të ushtruar me përgjegjësi të dyja funksionet.
“Këto janë terma që po diskutohen, por vërehet prirja që disa persona të jenë më të angazhuar te pushteti dhe disa të tjerë të marrin më shumë përgjegjësi te partia. Por asnjë gjë nuk është e prerë, ose në qeverisje, ose në pushtet”, tha ai.
Ndërkaq, paralelisht me ndryshimet statutore, Partia Demokratike është përfshirë nga një proces analizash në bazë mbi rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009.
Analiza që sipas kryetarit të PD për Tiranën nuk do të synojnë prerje kokash.
Bumçi flet për rastin e Tiranës, si po trajtohet ky qark nga strukturat e partisë në raport me zgjedhjet.
Procesi i analizës do të përfundojë përpara mbajtjes së kuvendit kombëtar të PD në 12 dhjetor, aty ku dhe do të bëhet analiza e përgjithshme e zgjedhjeve të 28 qershorit.
Ideja e ndarjes së posteve ministrore nga ajo partiake ka filluar të qarkullojë në PD fill pas zgjedhjeve lokale të vitit 2007.
Kuvendi Kombëtar i PD-së, që do të mblidhet në datën 12 dhjetor, do të ketë rreth 1 mijë delegatë, gjë që, përbën dhe numrin më të madh të delegatëve që ka pasur ndonjëherë një kongres partiak.
PD gjithashtu do të ndërmarrë ndryshimet e domosdoshme në statut për t’u përshtatur me Kodin e ri Elektoral dhe me kalimin në sistemin proporcional-rajonal.
“Baza e Kodit të ri Elektoral është ndarja administrative territoriale e Shqipërisë ndaj dhe struktura e partisë duhet të përshtatet me këtë. Kjo është e domosdoshme të shprehet në statutin e PD-së”, tha Beja.
Kryesia e PD ka ngritur një grup pune që do të përshtatë statutin e kësaj force me kodin e ri zgjedhor. Ndryshimet do të miratohen në kongresin e dhjetorit, bashkë me strukturat e reja drejtuese të partisë.