E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, plan konkret për integrimin e Shqipërisë në BE në 2014-n

Projekti “Hartë Rruge” pritet të shërbejë për Brukselin si një udhëzues për hapjen e dyerve, për vendet e Ballkanit

Uashingtoni dhe Athina zyrtare, kanë gati një projekt-plan të detajuar, për integrimin e Shqipërisë dhe të Ballkanit perëndimor në BE. Plani i quajtur “Hartë Rruge” i është propozuar SHBA-ve nga vendi fqinj Greqia, ku thuhet se integrimi i rajonit, mbetet jetike për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Kësisoj, të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor do të hyjnë në BE në 100-vjetorin e fillimit të luftës së parë botërore, por sipas citimeve zyrtare nuk përjashtohet fakti i mundshëm që integrimi të realizohet në një datë edhe më të hershme.  

Leonard Quku

Shqipëria do t’i bashkëngjitet Bashkimit Evropian jo më vonë se viti 2014-të.
Sipas një plani konkret të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendit fqinj Greqisë, çështja e Ballkanit Perëndimore dhe integrimi i plotë në BE, duhet të konkludohet deri në vitin 2014-të. E përditshmja serbe “Danas” shkruan se SHBA, ka një plan të quajtur “Hartë Rruge”, që është paraqitur nga Athina, ku thuhet se gjithë Ballkani perëndimor duhet të hyjë në BE në vitin 2014, datë kjo që ka gjetur edhe kohezionin e anëtarëve të tjetër të Bashkimit Evropian.
Plan-projekti i SHBA-ve në bashkëpunim me atë të Greqisë, parashikon që të bëjë të mundur mbylljen e kapitullit të integrimit, të të gjitha vendeve të Ballkanit perëndimor, pasi ato të kenë plotësuar kushtet paraprake.
Uashingtoni dhe Athina zyrtare gjykojnë se integrimi në BE është strategjia e vetme e suksesshme që, mund të kthejë në Ballkan qëndrueshmërinë dhe stabilitetin mbarë rajonal.
Zyrtarët e lartë të SHBA-së dhe Greqisë, planifikojnë që t’i japin hapësirën e duhur qeverisë shqiptare në përgatitjen e vendit për integrimin në BE.    
Plani i Uashingtonit doli në dritë nga deklarata e kryeministrit Jorgos Papandreu, i cili gjatë vizitës së tij në Turqi propozoi në mënyrë të qartë që të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor të hyjnë në BE në 100-vjetorin e fillimit të luftës së parë botërore, një deklaratë kjo, që u diskutua në të gjitha takimet Papandreut.
Edhe në takimin me ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ilir Meta, kryeministri grek Papandreu bëri me dije plan-projektin e Uashingtonit dhe të Athinës. 
“Kjo duhet bërë pa ulur standardet që duhen plotësuar, por duke reduktuar burokracitë, me qëllimin përfundimtar përfshirjen e Ballkanit në BE, 100 vjet pas Luftës së Parë Botërore”, ka deklaruar kryeministri grek. Edhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta përmendi pak ditë më parë 2014-ën si vitin e mundshëm të integrimit të Shqipërisë.
Ndërkaq, arsyeja pse SHBA është përfshirë në përgatitjen e një plani të tillë është se, Uashingtoni e sheh hyrjen e Ballkanit në BE, si zgjidhjen më të mirë për gjithë problemet rajonale.
E përditshmja “Danas”, përmes një artikulli të gjatë dje, citon burime nga institucione ndërkombëtare, të cilët shprehen se amerikanët kërkojnë që çështja e vendeve të ballkanit të mbyllet sa më shpejt të jetë e mundur në mënyrë që në rajon të sigurohet përfundimisht paqja dhe stabiliteti. SHBA duket se për të arritur këtë synim, i cili po kështu është një prioritet për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor ka gjetur një aleat të fortë siç është Athina zyrtare, e cila ka marrëdhënie të ngushta si me amerikanët ashtu edhe me vendet e Ballkanit.
Gazeta “Danas” shkon edhe më tej duke shkruar se data e caktuar për integrimin e Ballkanit në BE është 28 qershori i 2014-ës, por sipas kësaj të përditshmeje disa nga vendet mund të integrohen edhe në një datë më të hershme.
Për diplomatët e Malit të Zi është logjike që SHBA të mbështesin këtë plan, sepse ka të bëjë me integrimin evropian të Ballkanit, zgjidhja më e mirë e të gjitha problemeve në rajon.
Aleksandra Joksimoviç, ish-shefe e diplomacisë shprehet se, “integrimi europian i rajonit do të ulë tensionet dhe do të vendosë pika strategjike, të cilat kanë një rëndësi kyçe për amerikanët, siç janë Bosnja dhe Kosova”.
“Duhet të merret në konsideratë se një iniciativë e tillë mund të propozohet formalisht nga vetë BE dhe jo nga SHBA. Por ka edhe një mundësi, që ky të jetë një propozim i shteteve të vogla të bllokut, jo nga fuqitë e mëdha, sepse do të hapte problemin e dominimit në BE. Greqia është vendi perfekt që ka profilin e duhur”, shprehet Joksimoviç.
Sipas saj, kjo iniciativë mund të bëjë të mundur që të gjitha vendet e Ballkanit të hyjnë në BE në të njëjtën kohë, çka mund të kërkojë edhe një marrëveshje brenda grupit.
Për integrimin e Ballkanit në BE, SHBA planifikon një axhendë intensive të politikës së jashtme, për të ushtruar presionin e vet ndaj Brukselit, në mënyrë që rajoni përfshi Shqipërinë të hyjë si i tërë në BE në vitin 2014.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›