Ndryshimi emërtesave, ministrat Olldashi e Pollo betohen para Presidentit Topi Betohet përpara Presidentit të Republikës Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi

Paraditen e sotme në Presidencë u zhvillua ceremonia e betimit e dy anëtarëve të Kabinetit qeveritar, pas ndryshimit të emërtesave të ministrave: të Sokol Olldashit, i cili do të kryejë detyrën e Ministrit të Punëve Publike dhe Transportit dhe Genc Pollo, si Ministër për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekreteve përkatëse nga Sekretari i Përgjithshëm, Aleksandër Flloko, si dhe pas betimit mbi Kushtetutë të Olldashit dhe Pollos, Presidenti i Republikës, Bamir Topi u dorëzoi dy anëtarëve të Këshillit të Ministrave dekretet e emërimit, duke u uruar suksese në detyrat e reja dhe të rëndësishme. Të pranishëm ceremoninë e betimit të dy ministrave me emërtesa të ndryshuara ishin Drejtori i Kabinetit, Dashamir Xhaxhiu dhe anëtarë të kabinetit të Presidentit të Republikës.