E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Jashtëm i Kuvendit miraton dy marrëveshje të rëndësishme Kryesia e Kuvendit të Shqipërisë

Komisioni kuvendor për Politikën e Jashtme miratoi sot projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Austrisë, për ndihmën e ndërsjelltë në raste katastrofash ose fatkeqësish të mëdha”, si dhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për financimin e projektit të rrugëve rajonale dhe lokale”. Komisioni për Politikën e Jashtme, në cilësinë e Komisionit që jep mendim, i shqyrtoi këto projektligje në prani të specialistit të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Gjatë diskutimit të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Austrisë, për ndihmën e ndërsjelltë në raste katastrofash ose fatkeqësish të mëdha”, anëtarët e Komisionit vlerësuan se kjo marrëveshje do të ketë një impakt mjaft pozitiv në përballimin e pasojave të katastrofave dhe fatkeqësive të mëdha. Qëllimi i marrëveshjes është rritja e sigurisë dhe lehtësimi i ndihmës në rastet e katastrofave ose të fatkeqësive të mëdha ndërmjet dy palëve nënshkruese. Kjo marrëveshje rregullon edhe marrëdhënie të tjera si: kalimin e shpejtë të pikës kufitare, lirimin nga taksat doganore e lehtësimin e procedurave e të kontrolleve doganore, si dhe qëndrimin pa vizë në shtetin ndihmëkërkues të skuadrave të shpëtimit. Në vijim, Komisioni për Politikën e Jashtme shqyrtoi edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për financimin e projektit të rrugëve rajonale dhe lokale”. Deputetët vlerësuan këtë marrëveshje si shumë të rëndësishme për realizimin e këtij projekti që ka për qëllim të përmirësojë përqasjen ndaj shërbimeve kryesore të tregjeve ekonomike, nëpërmjet sigurimit të rrugëve të papërshkueshme gjatë gjithë vitit për popullsinë. Ndër të tjera, ky projekt synon të përmirësojë seksionet parësore të rrjetit rrugor rural; seksionet parësore të rrjetit rrugor lokal, si dhe të forcojë menaxhimin e rrjetit të rrugëve rajonale dhe lokale. Komisioni miratoi kalimin në seancë plenare të të dy projektligjeve në fjalë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›