Neranxi: Njerëzit duan të përsosen edhe në gastronomi
Të premten në ambientet e “Tirana International” startuan aktivitetin e tyre Qendra Shqiptare e Gastronomisë me Federatën Gastronomike të Greqisë, ku sponsor i Artë ishte zgjedhur kompania “Neranxi” dhe me këtë rast bënë binjakëzimin e tyre. Më pas të dyja këto qendra bënë vizitë në ambientet e kompanisë “Neranxi”. E pyetur pse zgjodhën pikërisht këtë kompani si sponsor të artë, Katerina Gremo kryetare e Qendrës Shqiptare të Gastronomisë tha se kjo kompani është shembull për plotësimin e të gjitha standardeve perëndimore jo vetëm për cilësinë e lartë të produkteve që hedh në treg, por edhe për asistencën që u jep klientëve, duke arritur perfeksionin edhe në shërbime. Më pas është bërë nisja për Himarë ku u organizua konkursi gastronomik me paraqitjen e gatimeve tradicionale të zonës së Himarës. Amvisat himarjote iu ofruan të ftuarve të nderit gatimet e tyre dhe receta më e dalluar u vlerësua me medalje nderi. Presidentja e kompanisë “Neranxi”, Nurie Neranxi pohoi për “Panorama” se në fushën e gastronomisë nuk mund të bëhet kompromise me cilësinë prandaj dhe kompania e tyre sot vlerësohet me notën maksimale jo vetëm nga klientët shqiptarë, por edhe nga partnerët dhe homologët e tyre në botë. “Vendosëm që të bashkëpunonim sa më parë me Qendrën e Gastronomisë Shqiptare, pasi jemi për një qëllim të përbashkët, të edukojmë shoqërinë tonë të përdorë ushqime të shijshme, të gatuara mirë, por edhe të shëndetshme. Natyrisht që problemet madhore që përjetojmë sot si shoqëri, e kanë nxjerrë në plan të dytë domosdoshmërinë e edukatës në tavolinat tona, por megjithatë shohim çdo ditë e më shumë se njerëzit duan të përsosen edhe në këtë aspekt. Prandaj dhe jam e sigurt se ne do t’i ndihmojmë që kjo përsosje të bëhet sa më e prekshme dhe të gjejë përhapje”, pohoi ajo. Në përfundim ajo uroi që binjakëzime të tilla të mund të bëhen edhe me shtete të tjera të Bashkimit Evropian.