Depresioni, vetëhidhet në Vjosë
VLORE / QEMAL BIRAKU
Prej 10 ditësh, një 43-vjeçar nga Fieri është zhdukur në rrethana misterioze, ndërsa dyshohet të jetë vetëhedhur në lumin e Vjosës nga Ura e Mifolit. Thoma Lashi, banues në lagjen “13 Prilli” është denoncuar nga familjarët e tij si i zhdukur. Sipas deponimeve të tyre në polici, ai është larguar nga banesa që më 19 shkurt. Dyshimet e bluve janë shtuar kur një kalimtar ka denoncuar në të njëjtën ditë se kishte parë një person teksa ishte vetëhedhur nga ura e Mifolit. Shkaku i vetëmbytjes mendohet të ketë qenë depresioni nervor. Sipas dëshmisë së familjarëve më polici, ai kishte shfaqur shqetësime me shëndetin mendor, që në periudhën e skemave piramidale kur kishte humbur në firma 4 milionë dhrahmi. Pas kësaj ngjarjeje, Lashi kishte vuajtur nga papunësia e për rrjedhojë edhe varfëria. Sipas policisë, ditën e zhdukjes, një person kishte denoncuar se kishte parë një person që ishte hedhur nga ura. Edhe pse nuk pati ndonjë denoncim gjatë atyre ditëve për ndonjë person të zhdukur, policia e Vlorës u vu menjëherë në kërkim me mjetet lundruese në kërkim të trupit. Mbas 24 orësh kërkimie, blutë nuk konstatuan asgjë, ndaj u ndërprenë kërkimet në Vjosë, por edhe në dalje të lumit, në det. Dyshimi nisi kur një javë pas denoncimit të bërë nga një kalimtar, një familje në Fier i kërkon ndihmë policisë për zhdukjen më 19 shkurt të 43–vjeçarit Thoma Lashi. Pas këtij denoncimi, blutë u vunë në lëvizje duke koordinuar punën edhe me policinë e Vlorës për gjetjen e personit. Familjarët që ishin vënë në dijeni të një denoncimi për një person që ishte parë të hidhej nga ura, nisën kërkimet edhe vetë privatisht, por deri më tani nuk rezulton asnjë gjurmë e të zhdukurit. Tashmë forcat e Policisë Kufitare janë angazhuar me mjete lundruese si dhe me polumbarë për të kërkuar trupin që dyshohet të jetë mbytur në lumë. Prej dy ditësh kërkimet kanë vijuar intensivisht deri në dalje të lumit në det, por nuk është konstatuar asnjë shenjë. Në kërkim janë angazhuar dhe mjetet e distriktit detar të Vlorës. Polumbarët kanë hasur në vështirësi për kërkimin në lumë, pasi uji është shumë i turbullt dhe me rryma të fuqishme. Mësohet se Lashi është i pamartuar dhe jetonte në Fier me prindërit e tij. Ai kishte punuar si emigrant për disa vite në Greqi. Në vitin 1997, ai vendosi që kursimet prej rreth 4 milionë dhrahmi t’i fuste në firmat piramidale. Por për pasojë, ato i humbi të gjitha. Sipas dëshmisë së familjarëve dhënë në polici, mbas humbjes së dhrahmive ai pësoi depresion nervor. Për këtë shkak ai nuk u martua, ndërsa vuajti papunësinë e varfërinë. Policia nuk konfirmoi nëse personi i denoncuar si i zhdukur të jetë vetëhedhur në lumë.