Ndryshimi i vendimeve, nën akuzë edhe Apeli i Vlorës
Gjykata e Apelit e Vlorës vihet nën akuzë për ndryshimin e vendimeve dhe moszbardhjen e vendimeve në kohë. I pranishëm ka qenë edhe zv/kryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, i cili deklaroi se ngarkesa e punës është e madhe, megjithëse gjykatat e rrethit dhe apelit kanë ndër organikat më të mëdha të Republikës. Në shkallën e parë, sipas të dhënave, gjatë 2009-s janë shqyrtuar prej jush afro 5900 çështje. Spahiu tha se për sa i përket cilësisë së gjykimit, nga 267 vendime civile të ankimuara janë gjykuar vetëm 21 vendime nga Apeli Vlorë, ose 7.9%. ndërkohë, nga 181 vendime penale të ankimuara janë gjykuar vetëm 32 vendime nga Apeli Vlorë, ose 17.9%. Spahiu tha se ka shumë ankesa në KLD në adresë të gjykatave Vlorë, për gjykime të zvarritura, për masa sigurimi, apo për gjykime që pushohen për 5 minuta vonesë, kur edhe ora e dorës ndonjëherë nuk sinkronizohet për të matur 5-minutëshin, apo pushohen sepse pala ka “ngatërruar” datën. Në analizë janë përmendur shkurtimisht disa prej shkaqeve për të cilat çështjet janë cenuar në Gjykatën e Apelit Vlorë. Nënkryetari i KLD-së tha se të njëjtat shkaqe i ka dëgjuar edhe në Fier po për Apelin Vlorë, në Rrethin Shkodër për Apelin e Shkodrës, por të shoqëruara me qëndrime juridike reaguese ndaj politikës shpesh here të ndryshme apo jouniforme të shkallës së dytë. “E ka edhe gjykata juaj këtë problem? Besoj që po, sepse është thënë në analizë me shumë kortezi në pjesën e konkluzioneve: “Nga Gjykata e Apelit Vlorë, cenimet e vendimeve penale janë të lidhura me masat e dënimit dhe duke mos pasur një politikë penale ekzakte për këtë, me të drejtë ka edhe pretendime për aplikime të masave të dënimit”, tha Kreshnik Spahiu. Në rastin e Gjykatës së Apelit të Vlorës, Spahiu përmendi avashtësinë e shkallës së dytë “për të hequr qafe” dosjet gjyqësore. Duke bërë një analizë të situatës, nënkryetari i KLD-së tha se është konstatuar se ka mangësi në nivelin e arsyetimit të vendimit, në analizën e ligjit dhe provave, shkak që ka sjellë cenimin e vendimeve nga Gjykata e Lartë. “Kjo tregon hapur se gjykatat e të dyja niveleve ndjekin një politikë penale të ndryshme, dhe kjo nuk është një çështje e pakët. Mesazhi që ne lançojmë do të ishte: gjyqësori e vlerëson të njëjtën rrethanë në mënyra të ndryshme”, përfundoi Spahiu.
#