E Diel, 1 Nëntor 2026

Drogë në tapicerinë e makinës, tre në pranga në Muriqan

Antidroga e Tiranës arreston në Shkodër tre persona nga Elbasani, dy prej të cilëve me shtetësi bullgare, të cilët po trafikonin drejt Malit të Zi 23 kg hashash

Shkodër-Tre persona janë arrestuar ndërsa policia u kapi drogë, para dhe armë, me të cilat ata po tentonin të kalonin në pikën kufitare të Muriqanit në Shkodër. Operacioni i koduar “OKI”, ndaloi të dyshuarit ndërsa po tentonin të trafikonin 23 kilogramë lëndë narkotike. Burime zyrtare nga policia thanë se të ndaluarit janë Drita Meçja, 51 vjeçe, nga Elbasani; Arian Rusp Gyni (Gjini), 31 vjeç, nga Elbasani; me dy shtetësi shqiptare dhe bullgare dhe Gëzim Hasa, 38 vjeç po nga Elbasani. “Tre të sipërpërmendurve gjatë kontrollit në mjetin “Ford Mondeo” me targë AP 690 JY, me të cilin udhëtonin, u është gjetur e fshehur një sasi bime e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sattiva, me peshë 23 kilogram e 436 gramë më gjithë ambalazh, e cila ishte ndarë në 40 pako dhe e fshehur në pjesën e tapicerisë së mjetit”, njoftoi policia. Pas kësaj, gjatë kontrollit në banesën e 38-vjeçarit Hasa është gjetur një armë automatike e markës P.M.Sh, model.54, kalibri 7.62 mm, dhe një sasi fishekësh model.54, me një krehër. Për tre të ndaluarit kanë filluar hetimet për veprat penale të “Trafikimit të narkotikëve, e kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake e municioneve”. Ndërkohë policia ka sekuestruar 23 kg e 436 gramë hashash, armën e markës P.M.SH, me fishekë dhe një krehër, 3 aparate celularë, dy automjete të tipeve të ndryshme si dhe shumat prej 4300 dollarë, 2500 euro dhe 40000 (dyzet mijë) lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›