Ndryshojnë emrat por jo programet e partive të vogla në Itali
Fundi i një lideri historik që gjithmonë ka dashur ndarjen e vendit të tij. Gjithsesi në kongresin e partisë së tij ka folur përsëri si një lider i vërtetë. “Para së gjithash Veriu”. Një fjalim që ka zgjatur rreth gjysmë ore dhe mbështetësit e tij e kanë brohoritur emrin e liderit si themeluesin e partisë, një rol që e ka marrë zyrtarisht edhe sipas statutit të partisë i cili është votuar unanimisht. Ka rikujtuar 20 vitet e Lidhjes së Veriut Umberto Bossi, ka folur për Veriun si gjithmonë duke sharë dhe fyer Romën “hajdute”. Në fakt në takimin e tij të fundit si lider i partisë është duartrokitur më së shumti kur ka thënë se “bijtë e Padanias do të jenë të lirë dhe nuk do të jenë më skllevër të Romës”. Rruga në të cilën do të ecë partia është ajo e Bavarisë ose ajo e Zvicrës vende këto të përcaktuara nga Bossi si “miqtë e lirisë, jo si shteti italian. Në Zvicër mund të zhvillohen referendume për taksat, në Itali kjo nuk është e mundur”. I veshur me një këmishë jeshile me krahë të shkurtra ka folur ngadalë, por kur ka përmendur Romën zëri i tij ka qenë i fortë dhe kumbues. Duartrokitje të shumta nga mbështetësit e tij të cilët tashmë presin sekretarin e ri të Lidhjes së Veriut, Roberto Maronin që është kandidatura e vetme për të qenë pasues i Umberto Bossi-t. Edhe Maroni rrugëtimin e tij e nis nga Veriu dhe interesat e popullit të Veriut. “Do të jem sekretar nëse ky kongres do të më zgjedhë sepse besoj tek Lidhja po aq sa tek lufta kundra mafias për të cilën jam angazhuar. T’i japim shpirtin Veriut, janë ata guvernatorët luftëtarët tanë. Nuk kemi punë me Romën. Asnjë aleancë me partitë që mbështesin Montin”. Ka folur me entuziazëm, i veshur me xhaketë dhe kravatë jeshile. “Ky është slogani që kam dashur: Në fillim Veriu. Duhet të rifillojmë të punojmë të gjithë bashkë në terren. Në Lidhjen në të cilën do të jem sekretar ka vend për ata që duan të punojnë, ata që duan vetëm të flasin kot mund të ikin që nesër në mëngjez” – ka shtuar sekretari i ri i pasuar në fjalën e tij nga duartrokitjet e shumta të 5 mijë mbështetësve të tij. “Duhet të rekuperojmë njerëzit që votojnë për ne, ata që besojnë së Lidhja është njësoj si partitë e tjera. Projekti ynë është akoma pavarësia e Padanias, kjo është pika numër një që do të qëndrojë derisa të jem unë. Padania është një rajon i Europës. Por mjerisht kjo Europë nuk funksionon sepse është bërë nga organizma që nuk funksionojnë, që janë në krizë: shtetet –kombe”. Nga na tjetër sulmet e sekretarit të ri nuk kanë qenë vetëm për Romën por edhe Brukselin. “Italia kontribon për fondin europian me 20 milionë dhe merr tetë, më mirë të jemi jashtë Europës”. Ndërsa Padania sipas tij “ka më shumë gjuhë dhe kulturë, por është një rajon i madh me pika të përbashkëta, do të jetë rajoni më i madh i Europës. Hyrja në euro ka qenë një mënyrë për të mos lejuar ndarjen e Veriut, pikërisht kur ishim gati ta bënim por ndërkaq ka një ndarje të dukshme, dhe të dëmshme për Veriun, ajo e firmave që po shkojnë diku tjetër”. Pastaj sekretari i ri ka theksuar se “nuk kemi asgjë të përbashkët me rajonet e tjera {…}. Kur kam dashur të mbroj Lidhjen më kanë dënuar pikërisht kur Napolitano ka qenë ministër i Brendshëm”. Të njëjtat fjalë si dhe ish sekretari Bossi kundra Italisë. Edhe mënyra si do të udhëheqë partinë Lidhja e Veriut do të jetë e njëjtë. Disoqoftë ka folur për metoda të reja. “Një fazë e re, të flasim për gjera konkrete. Kemi kryetarë bashkie dhe guvernatorë, janë ata luftëtarët tanë për problemet e Veriut, ashtu si kanë bërë edhe në Gjermani. Duhet të shndërrohemi në partinë e parë të rajonit të Padanias. Territori është faza jonë e re, duhet t’i marrim ne votat e Veriut”. Vazhdon sekretari i ri i Partisë së Lidhjes së Veriut duke folur edhe për strategjinë politike të partisë së tij. “Një bllok politik i Veriut. Mund të japim një dorë për borxhin, pastaj mjaft, pronarë në shtëpinë tonë. Rritje për ne është të ulim me 15% taksat për firmat, dhe mos të ndihmojmë Jugun, jo recetave të Montit. Mundet edhe të mbyllim edhe 10 ministri të padobishme, para të hedhura në wc. Duam një monedhë tonën. Kjo është sfida jonë”. Ndërkaq i zgjedhur me ngritje dore si sekretar i Lidhjes sëVeriut në kongresin e pestë të partisë së tij ka nënvizuar se “Umberto Bossi për mua është si vëllai im, do ta kem gjithmonë në zemrën time. Por sot nis një fazë e re”.
...