Ndryshojnë interesat e depozitave në BSH
Banka e Shqipërisë ka ndryshuar normën e interesit për depozitat e bankave të nivelit të dytë, për sa u takon valutave të huaja, euro dhe dollar. Ndryshimi në fjalë i referohet rregullores mbi "Minimumin e rezervës së detyruar të mbajtur nga bankat në Bankën e Shqipërisë", e cila konsiston në ruajtjen e sigurisë së sistemit bankar dhe mbi të gjitha për krijimin e kërkesës për likuiditete dhe stabilizimin e tij. Të 16 bankat e nivelit të dytë vendosin rezerva të tyre pranë Bankës së Shqipërisë, në një masë që shkon në 10 për qind. Rezerva e detyrueshme që bankat duhet të depozitojnë pranë BSH, sipas rregullores së re, është "baza mbi të cilën llogaritet shuma e minimumit të rezervës së detyruar të bankave, janë detyrimet që rezultojnë nga pranimet e fondeve, detyrimet që rezultojnë jashtë bilancit, si dhe instrumentet e borxhit të emetuara nga bankat". Ajo që ka ndryshuar në rregullin e ri është interesi i depozitës, pra e rezervës së vendosur nga banka te BSH-së, për valutat e huaja. Kështu, interesi në rregulloren e kaluar ishte 70 për qind e normës së liborit në USD dhe 70 për qind e liborit në euro. Me vendimin e ri, përcaktimi i normës së interesit i referohet normës bazë të Bankës Federale (FED) në SHBA dhe normës bazë të Bankës Qendrore Evropiane. "Qëllimi i ndryshimit ishte lidhja e normës së interesit të rezervës së detyruar në valutë me normën bazë të bankave qendrore, duke konverguar me interesin e rezervës së detyruar në lekë, ku norma e saj i referohet normës bazë të Bankës së Shqipërisë", sqarojnë, për "Shqip", zyrtarë të BSH-së. Pra, aktualisht, norma e interesit për depozitat në dollarë do të jetë 70 për qind e normës bazë të Fed-it (1,5 për qind), që i bie 1,05 për qind, ndërsa për valutën euro do të jetë 70 për qind e normës bazë të BQE-se (3,75 për qind), që konkretisht llogaritet në 2,625%. Kurse për monedhën lek, është 70 për qind e normës bazë të Bankës së Shqipërisë (6,25 për qind), që i bie diku te 4,37 për qind. Ndryshimi i interesave, duke i llogaritur sipas normave bazë të interesit dhe jo me anë të liborit, u bë për shkak të unifikimit të llogaritjes që kryhet me monedhën lek. Aktualisht në tregjet e huaja, libori ka prekur nivele rekord të tetë viteve të fundit, duke shtrenjtuar akoma e më tej normat e interesit për kreditë. Kjo ishte dhe një nga shkaqet që solli reduktimin e normave bazë të interesit nga bankat qendrore në SHBA dhe BE. Norma bazë dikton interesin që duhet të aplikojnë bankat ndaj klientëve të tyre si për kreditë, ashtu dhe për depozitat. Norma e interesit aplikohet për çdo muaj, ndërsa bankat kanë të drejtë të përdorin deri në 20 për qind të rezervës që kanë të depozituar pranë BSH-së. Të gjitha këto ndryshime vijnë në një kohë kur tregjet financiare janë duke përjetuar një situatë mjaft të rëndë financiare, e cila, sipas analistëve, pritet të shtrihet dhe në vendet e tjera. Rezervat e detyruara përdoren nga BSH-ja në raste të mungesës së likuiditetit, por edhe për të siguruar sistemin bankar në vend. Tashmë me uljen e normave bazë të interesit për valutat e huaja, bankat do të kenë më pak përfitime nga rezervat e detyruara, por që, gjithsesi, do të kenë mundësi t‘i tërheqin në ditën e 24-të të çdo muaji, deri në 20 për qind.