Platini sulmon klubet angleze: Kështu do humbin identitetin
Prezenca e tepruar e investitorëve të huaj rrezikon të shkaktojë humbjen e identitetit të klubeve angleze. Shuplaka e radhës për Premiershipin vjen nga presidenti i UEFA-s, Mishel Platini. Nga Liverpuli, ai ka folur rreth problemit të ngritur nga numri 1 i FIFA-s, Sep Blater, i cili kishte denoncuar pronarët e shumtë të huaj në kampionatin anglez. Nëntë prej njëzet klubeve elitare në ishull kanë drejtues jo-anglezë: kjo situatë kishte bërë që pak ditë më parë presidenti i Federatës, Lordi Triesman, të kërkonte hartimin e ligjeve më të forta, për të frenuar dyndjen. "Futbolli është një lojë popullore për shkak të identitetit të saj", nënvijëzoi presidenti i UEFA-s. "A ruhet identiteti nëse vijnë investitorë nga Katari dhe asnjë nga Liverpuli apo Mançesteri? Nuk më duket diçka e mirë. Mendoj se biznesmenët nga Katari duhet të investojnë në Katar, të ndihmojnë në zhvillimin e futbollit në vendin e tyre. Po përpiqem të bëj diçka, por nuk jam i bindur se do të jetë e mundur". Tjetër çështje e kritikuar ishte edhe lehtësia e transferimit të lojtarëve minorenë nga njëri vend në tjetrin: "Kur blihen lojtarë të formuar nuk ka probleme, por kur afrohen djem 13 ose 14 vjeç, nuk më pëlqen. Si mendoni se ndihet nëna me largimin e fëmijës nga shtëpia?".