Ndryshojnë programet e arsimit bazë
Programet e arsimit bazë do të ndryshojnë duke u mbështetur në kërkesat e Bashkimit Europian. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, shprehet se reforma ka filluar, për të ka kërkuar dhe mbështetjen e arsimtarëve si dhe të vetë nxënësve. Këtë deklaratë kreu i arsimit e bëri gjatë një vizite në shkollën 9-vjeçare “Edit Durham” në Tiranë, në prani dhe të ambasadorit të Bashkimit Europian në vendin tonë, Ettore Sequi. “Plani dhe programi mësimor synon të përmbushë objektivat e planeve dhe programeve mësimore të vendeve të BE-së. Pra, ai do të jetë një plan në program mësimor tërësisht në standardet europiane”, - tha ministri Tafaj. Në të njëjtën linjë ka qenë dhe mesazhi i ambasadorit Sequi drejtuar nxënësve dhe arsimtarëve. Ai u shpreh se tashmë kurrikulat që përdoren janë pothuajse të njëjta me ato të vendeve europiane. Më pas Tafaj dhe Sequi kanë zhvilluar një vizitë në klasat e para të kësaj shkolle, ku dhe u kanë shpërndarë nxënësve në ditën e dytë të vitit të ri shkollor edhe dhurata e libra.