E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshon Kushtetuta për zgjedhjet dhe Presidentin

Meta: ”Me ndryshimet kjo do të quhet Kushtetuta e Gërdecit”. PD-ja dhe PS-ja i cilësuan ndryshimet si të nevojshme për demokracinë

Erald Kapri

Kuvendi ka kaluar mbrëmë, mes debateve të shumta, ndryshime të Kushtetutës, si sistemin zgjedhor, mënyrën e re të zgjedhjes së Presidentit, mocionet ndaj kryeministrit si dhe mandat 5-vjeçar për prokurorin e Përgjithshëm. Sipas votave në tërësi, 115 deputetë votuan pro ndryshimeve në Kushtetutë, 17 prej deputetëve kanë abstenuar, 3 deputetë votuan kundër dhe një deputet nuk preferoi të marrë pjesë në votim. Pavarësisht kundërshtimeve të shumë deputetëve, votat në Kuvend të PD-së dhe PS-së kanë arritur numrin e përcaktuar duke miratuar ndryshimet. Kryeministri Sali Berisha i cilësoi ndryshimet në Kushtetutë si të duhura, pasi eksperienca e këtyre viteve i kërkoi këto ndryshime. “Me marrjen e ftesës për në NATO, këto ndryshime ishin të natyrshme. Ndryshimet janë vetëm për të parandaluar kriza”, - tha kryeministri Berisha. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, e cila i ftoi të gjithë deputetët t’i bashkëngjiten votimit pro të ndryshimeve në Kushtetutë.
Debatet
Kuvendi është përfshirë në debate të ashpra në lidhje me ndryshimet e kërkuara në Kushtetutë. Shumë deputetë të majtë dhe të djathtë e kanë cilësuar si një puç institucional ndryshimet. Sipas diskutimeve të tyre, ndryshimet janë cilësuar si të pamenduara dhe që do të sjellin probleme për Shqipërinë në të ardhmen. Deputeti Spartak Ngjela ka qenë tepër i ashpër në diskutimin e tij. “Ndryshimi i Kushtetutës po ndodh jashtë rregullave të procedurave të Kuvendit dhe ky është krim penal. Ndryshimi i Kushtetutës në këtë formë do të sjellë më vonë edhe përgjegjësit përkatës si në Turqi, ku presidenti dhe kryeministri janë në procedim penal. E njëjta gjë do të ndodhë këtu, ku të gjithë deputetët do të mbajnë përgjegjësi për atë që kanë firmosur. Nuk është bërë asnjë analizë e këtyre ndryshimeve. Nuk u ngrit një grup ekspertësh dhe mund të them se jemi përballë një agresioni. Si ka mundësi që në relacion nuk bëhet një analizë se si është zbatuar Kushtetuta në këto 10 vite?” - tha Ngjela, i cili kërkoi që në Kuvend të paraqitet edhe amendamenti për zgjedhje të presidentit nga populli. I ashpër ka qenë edhe kreu i LSI-së, Ilir Meta, i cili tha se ndryshimet do të sjellin një “Dushk” të ri në politikë. “Ku shkuan premtimet e kryetarëve të partive të vjetra për të zgjedhur presidentin nga populli? Këto ndryshime forcojnë karakterin partiak të shtetit. Mburren se do të heqin “Dushkun” me reformën zgjedhore pikërisht ata që kanë bërë “Dushkun”. Ne do të kishim mbështetur sistemin proporcional rajonal në rast se do të kishte zona elektorale në bazë të numrit të njëjtë të popullsisë ose në rast se do të kishte një korrigjim kombëtar. Me ndryshimet në Kushtetutë që do të bëhen, do të quhet Kushtetuta “Sali Rama” ose Kushtetuta e “Gërdecit”, - tha Meta. Të ashpër në diskutime kanë qenë edhe deputetët Ceka, Milo, Lesi, Bejta, Braho, Xhufi, Koçi etj. Diskutimet e tyre kanë prekur të gjitha ndryshimet që u kërkuan të për të ndryshuar Kushtetutën. Krahas oponencës së reformës zgjedhore, deputetët kanë kundërshtuar edhe ndryshimin e mocionit ndaj kryeministrit. Nga ana tjetër, kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Pashk Ujka, kërkoi nga liderët politikë që të kenë mëshirë për partitë e vogla, pasi sipas tij, partitë e mëdha sollën partitë e vogla në parlament ndaj dhe duhet që t’i rikthejnë përsëri.
Propozimet
Ndryshimet në Kushtetutë të propozuara nga PD-ja, të cilat iu paraqitën deputetëve, u diskutuan gjerësisht në Kuvend. Kuvendi miratoi ndryshimin e nenit 87 të Kushtetutës lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Sipas këtij ndryshimi, votimi në Kuvend për kreun e shtetit të jetë me pesë raunde. “Në këtë votim, president zgjidhet kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit”, përcaktohet në amendament. Ndryshimet kanë prekur edhe çështjen e shumëdiskutuar të mandatit të prokurorit të Përgjithshëm, më saktë të nenit 149 të Kushtetutës. “Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit, për një mandat prej pesë vjetësh, me të drejtë riemërimi”, është përcaktuar në Kushtetutë. Përsa i përket mënyrës së funksionimit të Këshillit të Ministrave, është miratuar një ndryshuar çështja e mocionit ndaj kryeministrit të Kuvend. Konkretisht, është miratuar ndryshimi për nenin 104 dhe 105, që flet për procedurën e kërkesës së mocionit ndaj kryeministrit. “1/5 e deputetëve ka të drejtë të paraqesë për votim në Kuvend një mocion mosbesimi ndaj kryeministrit në detyrë, duke propozuar një kryeministër të ri”, - miratoi Kuvendi.

22 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›