Presidenti Topi: ”Prekja e Kushtetutës kërkon dialog të gjerë”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka qenë i ashpër në lidhje me ndryshimet që kërkohen t’i bëhen Kushtetutës. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun kroat Stjepan Mesiç, presidenti Topi u shpreh se duhet një dialog i gjerë për ndryshimet në Kushtetutë pasi ka shumë çështje që kërkohen të ndryshohen. “I vetmi, dhe i vetmi prononcim i Presidentit ka qenë pikërisht me kujdesin që duhet të kenë partitë politike që në lidhje me prekjen e Kushtetutës ky proces duhet t’i nënshtrohet një dialogu të gjerë, një konsultimi me konstitucionalistë, dhe kjo ndërhyrje konsiderohet shumë principiale. Mund t’ju them që çështja e prekjes së Kushtetutës, nuk ka të bëjë thjesht me çështjen e zgjedhjes së Presidentit. E kthejmë në vëmendjen tuaj, që të mos fokusoheni vetëm tek kjo pikë, se ka një çështje që është zemra besoj e këtij procesi, që është reforma zgjedhore. Është edhe një çështje tjetër, ajo e mocionit ndaj Kryeministrit. Pra, nisur nga kjo unë nuk mund të paragjykoj dhe nuk dëshiroj të shprehem në mënyrë absolute se si do të jetë rrjedha e ngjarjeve në Kuvend. Unë i qëndroj konstant interpretimit që ka të bëjë me pozicionin kushtetues të Presidentit të Republikës”, - tha presidenti Topi.
Ndryshimet në Kushtetutë
Neni 87 ndryshohet si vijon:
1. Kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh. Presidenti i Republikës zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi.
2. Zgjedhja e Presidentit zhvillohet në dy raunde. Në raundin e parë zhvillohen deri në tre votime, ndërsa në raundin e dytë zhvillohen deri në dy votime. Votimi i parë zhvillohet jo më vone së shtatë ditë nga fillimi i procedurës përzgjedhjen e tij. Secili nga votimet e tjerë zhvillohen jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i raundit paraprirës”.
3. Presidenti zgjidhet në raundin e parë kur në një nga tre votimet e tij, njeri nga kandidatet merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e dytë dhe të tretë mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni.
4. Kur asnjë nga kandidatet që u votuan në votimin e tretë nuk siguron shumicën e kërkuar, zhvillohet një votim i katërt. Për këtë votim mund të paraqiten kandidatë të rinj sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni. Kur paraqiten më shumë se një kandidat, votimi zhvillohet midis dy kandidateve që kanë siguruar numrin më të lartë të deputetëve propozues. Në votimin e katërt President zgjidhet kandidati që merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
5. Në rast se edhe pas votimit të katërt nuk është siguruar shumica e kërkuar për një kandidat zhvillohet një votim i pestë. Në këtë votim President zgjidhet kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
6. Në rast se edhe pas votimit të pestë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar Kuvendi shpërndahet. Zgjedhjet e reja zhvillohen brenda 45 ditëve nga shpërndarja.
7. Kuvendi pasardhës e zgjedh Presidentin e Republikës me shumicën e të gjithë anëtarëve të tij.
Neni 88 pika 2 ndryshohet si vijon:
1 “Mandati përfundon në të njëjtën datë, të të njëjtit muaj të vitit të pestë nga data e betimit si President i Republikës. Mandati i Presidentit zgjatet vetëm në kohë lufte dhe për aq kohë sa vazhdon ajo.
2 Pas pikës 2 shtohet pika 3 me këtë përmbajtje:
3. Procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë së 35 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës. Kur pas përfundimit të mandatit paraardhës Kuvendi nuk ka zgjedhur Presidentin, funksionet e tij ushtrohen sipas pikës 1 të nenit 91.
Neni 104 ndryshohet si vijon:
1. Kryeministri ka të drejtë t'i paraqesë Kuvendit mocion besimi ndaj Këshillit të Ministrave. Në rast se mocioni i besimit votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, kryeministri, brenda 48 orësh nga votimi i mosbesimit, i kërkon Presidentit të Republikës shpërndarjen e Kuvendit.
2. Presidenti shpërndan Parlamentin brenda 10 ditësh nga marrja e kërkesës. Kërkesa për mocion besimi nuk mund të paraqitet gjatë periudhës së shqyrtimit të mocionit të mosbesimit sipas nenit 105.
3. Votimi i mocionit nuk mund të bëhet pa kaluar tri ditë nga paraqitja e tij.
Neni 105, ndryshon si vijon:
1. Një e pesta e deputetëve ka të drejtë të paraqesë për votim në Kuvend një mocion mosbesimi ndaj kryeministrit në detyrë, duke propozuar një kryeministër të ri.
2. Kuvendi mund të votojë një mocion mosbesimi ndaj kryeministrit vetëm duke zgjedhur me votat e më shumë se gjysmës se të gjithë anëtarëve një kryeministër të ri.
3. Presidenti i Republikës dekreton shkarkimin e kryeministrit në detyrë dhe emërimin e kryeministrit të zgjedhur, jo më vonë se 10 ditë nga votimi i mocionit në Kuvend.
Në Nenin 149 bëhen këto ndryshime.
1. Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga Presidenti me pëlqimin e Kuvendit, për një mandat prej 5 vitesh, me të drejtë riemërimi.
2. Prokurori i Përgjithshëm mund të shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kuvendit, për shkelje të renda të Kushtetutës, për shkelje të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të funksioneve të tij ose për mosushtrim të këtyre funksioneve, për paaftësi mendore a fizike, për akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën e prokurorit.
4. Prokurori i Përgjithshëm raportin në mënyrë periodike për gjendjen e kriminalitetit.
22 Prill 2008