Ndryshon ligji, ja kur rishikohen titujt e pronësisë
Drafti i ri, pas vendimit të Kushtetueses për shfuqizimin e dy neneve
Ankimimi në raste vendimesh të padrejta për njohjen, kthimin dhe kompensimin e pronës do të bëhet tashmë nëpërmjet procedurave të reja. Këtë gjë parashikon drafti i mbërritur në Kuvend si propozim i deputetit Enkelejd Alibeaj. Në këtë draft bëhen një sërë ndryshimesh në nenin 15, por shtohet dhe një nen i ri, duke përcaktuar procedura të reja lidhur me të drejtën për ankimimet për rishikimin e titujve të pronësisë. Drafti ka ardhur si një përmbushje e vakuumit ligjor të krijuar pas vendimit të pak javëve më parë të Gjykatës Kushtetuese, e cila shfuqizoi pjesërisht nenin 15, por dhe nenin 16 të ligjit Për kthimin dhe kompensimin e pronave. Në këto nene parashikohej që kreu i AKKP-së kishte të drejtë të verifikonte me nismën e vet vendime të dhëna nga zyrat rajonale të AKKP-së. Sipas këtij drafti, vendimet e ish-KKKP-ve ndryshe nga sa parashikon Kushtetuesja, mund të rishikohen, por vetëm duke marrë parasysh disa rrethana të parashikuara shprehimisht në ligj. Alibeaj sqaron në relacion se kjo bëhet e mundur sepse Kodi i Procedurës Civile parashikon mundësinë e rishikimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë.
Ndryshimet
Drafti i ri parashikon se ankimimi për vendime të padrejta do të bëhet vetëm brenda afateve për ushtrimin e të drejtës së ankimimit. Në rast të kundërt, drejtori i AKKP-së vendos direkt mospranimin e kërkesës pa e marrë atë në shqyrtim siç parashihet në ligjin bazë. Parashikohet më tej futja e një neni të ri, i cili të parashikojë me saktësi kriteret dhe procedurat për rishikimin e vendimeve që kanë marrë formë të prerë të ish-zyrave rajonale të AKKP-së në qark, të ish-komisioneve vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave, si dhe të ish-komisioneve të rretheve ose bashkie për kthimin dhe kompensimin e pronave të ish-pronarëve. Kështu, rishikimi i vendimeve do të bëhet vetëm në rastet kur zbulohen rrethana të reja që kanë rëndësi për çështjen, kur vërtetohet se aktet shkresore kur është bazuar vendimi kanë qenë të pavërteta, kur këto akte mund të jenë lëshuar nga zyrtarë të dënuar penalisht për lëshimit e tyre, kur vendimi përmban një gabim material në fakt ose në ligj, bazuar në faktet e administruara në dosje, kur zyrtarët që kanë dhënë vendime, kanë kryer vepra të dënueshme penalisht apo kur vendimi është bazuar në një vendim gjyqësor ose akt të një organi tjetër që ka ndikuar në marrjen e vendimi dhe më pas është prishur. Mund të rishikohen vetëm vendimet që nuk janë duke u shqyrtuar në gjykatë apo për të cilat gjykata nuk ka një vendim themeli të formës së prerë. Neni i shtuar parashikon gjithashtu edhe subjektet që mund të bëjnë kërkesën për rishqyrtim që është subjekti i shpronësuar, personat juridikë publikë, nëse vendimi që kërkohet të rishikohet, ka cenuar të drejta pasurore shtetërore apo Avokatura e Shtetit. Afati për paraqitjen e kërkesës është vetëm 45 ditë nga dita që kërkuesi ka marrë dijeni efektivisht për shkakun e rishikimit. Kur kërkues është Avokatura e Shtetit kërkesa paraqitet jo më vonë se 5 vjet nga dita që ka lindur shkaku i rishikimit. Më tej parashikohen dokumentet që duhet të plotësojnë këtë kërkesë, procedurën e verifikimit paraprak, shqyrtimin në themel dhe vendimmarrjen. Propozimi i Alibeajt i lë më shumë kohë edhe Këshillit të Ministrave për të miratuar listën e pronave shtetërore që vihen në dispozicion për kompensimin fizik. Ky afat nga 31.12. 2008 bëhet 31.12.2011. Deputeti Alibeaj nëpërmjet propozimit të tij e konsideron si të padrejtë edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili shfuqizon pikën c të nenit 15, ku i njihet e drejta AKKP-së të përfundojë shqyrtimin e animimeve të depozituara nga Avokatura e Shtetit kundrejt vendimeve të ish-zyrave rajonale të AKKP-së në qarqe brenda afatit të parashikuar për ankimim.
Rastet kur mund të rishikohen vendimet e ish-zyrave rajonale
Kur zbulohen rrethana të reja apo akte të reja shkresore që kanë rëndësi për çështjen, që nuk mund të diheshin gjatë shqyrtimit të kërkesës për njohje, kthim apo kompensim të pronës; Kur vërtetohet se aktet shkresore në bazë të të cilave është dhënë vendimi, të kenë qenë apo të jenë deklaruar më pas të pavërteta me vendim gjyqësor të formës së prerë; Kur vërtetohet se aktet shkresore në bazë të të cilit është dhënë vendimi, të jenë lëshuar nga zyrtarë të dënuar penalisht për lëshimin e tyre; Kur vendimi përmban një gabim material në fakt ose në ligj, bazuar në faktet e administruara në dosje gjatë kohës së shqyrtimit të kërkesës për njohje, kthim apo kompensim të pronës; Kur zyrtarët që kanë marrë pjesë në dhënien e vendimit, kanë kryer vepra të dënueshme penalisht, të cilat kanë ndikuar në marrjen e vendimit; Kur vendimi është bazuar në një vendim gjyqësor ose akt të një organi tjetër që ka ndikuar në marrjen e vendimit dhe që më pas është prishur/ndryshuar.