PS: Nuk ka zgjidhje pa plotësimin e kërkesave të rezolutës së PE
Klosi: PE dha rrugëdaljen nga kriza, lejimin e transparencës së plotë të zgjedhjeve
TIRANË - Partia Socialiste shprehu dje qëndrimin se nuk do të ketë asnjë hap përpara drejt zgjedhjes së krizës në rast se nuk zbatohet rezoluta e miratuar nga Parlamenti Europian.
Në një komunikim për mediat, sekretari organizativ në PS, Blendi Klosi, duke analizuar situatën politike në vend, theksoi nevojshmërinë e zbatimit të rezolutës së PE. Sipas tij, në Shqipëri ka sot vetëm një njeri i cili mban përgjegjësi për këtë krizë, ashtu siç mban në dorë dhe çelësin për zgjidhjen e kësaj krize.
"Ky njeri është Sali Berisha. Sot, këtë rol e përgjegjësi të Sali Berishës e njeh edhe Parlamenti Evropian i cili me një rezolutë të miratuar në mënyrë gati konsensuale, me votën e të majtëve dhe të djathtëve, i dha Sali Berishës rrugëdaljen nga kriza: lejimin e transparencës së plotë të zgjedhjeve", vlerësoi Klosi.
Zyrtari lart socialist i bëri thirrje "Sali Berishës që ta harrojë frikën e tij nga transparenca, sado e vështirë qoftë kjo, të lexojë edhe njëherë rezolutën dhe të angazhohet paskëtaj seriozisht për të përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë që i ngarkon kjo rezolutë."
Sipas deputetit socialist, të gjitha përpjekjet e Sali Berishës për të ndaluar transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit janë thjesht përpëlitjet e dëshpëruara të një regjimi për t'i shpëtuar përballjes me krimin, mbi të cilin ngrihet pushteti i tij. "Partia Socialiste e ka pranuar zgjidhjen e ofruar nga rezoluta e Parlamentit Europian dhe në emër të integrimit dhe interesave madhore të vendit është e gatshme të fillojë menjëherë punën për të zgjidhur krizën politike në vend.
Por, Sali Berisha duhet ta dijë mirë, se pa u plotësuar të gjitha kërkesat e rezolutës së Parlamentit Europian, nuk do të ketë asnjë hap përpara drejt zgjidhjes së krizës", deklaroi Blendi Klosi.