BE: Zgjidhni krizën deri në nëntor, ndryshe rrezikoni integrimin

Ambasadori belg në Tiranë, Mark Mishelsen, paraqet programin e presidencës së BE-së dhe kërkon arritjen e një marrëveshjeje politike midis mazhorancës dhe opozitës, në mënyrë që të shmanget opinioni negativ i KE-së
"Që prej ditës së sotme dhe fillimit të nëntorit këto sinjale pozitive mund të jepen"
TIRANË - Bashkimi Europian kërcënon Shqipërinë me mosdhënien e statusit të vendit kandidat, nëse deri në muajin nëntor klasa politike shqiptare nuk do të ketë zgjidhur krizën politike që vazhdon prej më se një viti.
Ky apel u është adresuar dje liderëve politikë shqiptarë nga ambasadori i Belgjikës në Shqipëri, Mark Mishelsen, gjatë prezantimit të programit të presidencës belge për gjashtëmujorin e dytë të këtij viti, e cila e mori drejtimin nga 1 korriku i këtij muaji.
Opinioni i Komisionit Europian do të paraqitet në muajin nëntor të këtij viti dhe kriteri bazë, mbi të cilin do të mbështet KE-ja në hartimin e tij, është kriteri politik, që është i përcaktuar qartë nga kriteret e Kopenhagenit.
Për këtë arsye, ambasadori belg theksoi se duke nisur që nga dita e djeshme e deri në fillim të muajit nëntor, Bashkimi Europian pret një sinjal pozitiv nga klasa politike shqiptare, e cila duhet të ketë zgjidhur domosdoshmërisht situatën politike për të shmangur një opinion negativ të Komisionit Europian. Ambasadori Mishelsen ka kërkuar bashkëpunimin midis mazhorancës dhe opozitës bazuar në parimet e Kushtetutës dhe transparencës.
"Deri në muajin nëntor të këtij viti Komisioni Europian do të japë një opinion për Shqipërinë dhe pikërisht mbi bazën e këtij opinioni presidenca belge, nëse ky opinion do të jetë pozitiv, do të ketë mundësinë që ta ndjekë atë më tej.
Prandaj, u bëj thirrje politikanëve që kam takuar, që t'i shikojnë këto çështje në mënyrë transparente, në mënyrë kushtetuese dhe që të punojnë së bashku si mazhoranca ashtu edhe opozita për të gjetur një zgjidhje nga kjo situatë në të cilën gjenden. Ka edhe disa muaj, që prej ditës së sotme dhe fillimit të nëntorit dhe shpresa jonë si përfaqësuesit e BE-së është që këto sinjale pozitive mund të jepen", - tha dje ambasadori belg.
Sipas tij, opinioni që do të paraqesë në vjeshtë Komisioni Europian do të varet nga stabiliteti politik i Shqipërisë, në rast se nuk është zgjidhur ende kriza politike, opinioni mund të jetë negativ, si dhe në rast se zgjidhet situata politike, atëherë mund të jetë pozitiv, por i shoqëruar nga standarde të tjera që duhet të përmbushen. Megjithatë, ambasadori belg nuk përjashtoi mundësinë që të ketë edhe skenarë të tjera të përgjigjeve mbi opinionin.
"Ajo që ka ndodhur deri më tani, ka qenë që çdo herë që Komisioni Europian ka përpiluar opinionet e veta, përgjigjet kanë qenë ose "po", ose "jo", ose përgjigja tjetër ka qenë "po, por ka disa kërkesa, të cilat duhen përmbushur".
Nuk mund të them që mund të mos ketë skenarë të tjerë, pra përgjigje të tjera. Por, gjithsesi, këto janë ato që janë përdorur deri më tani", - u shpreh ai.
Duke sjellë në vëmendje takimet e tij me zëvendëskryeministrin dhe njëherësh ministrin e Jashtëm, Ilir Metën, Kryeministrin Sali Berisha, kryeparlamentaren Jozefina Topalli dhe Presidentin Bamir Topi, Mishelsen vuri në dukje se u ka kërkuar krerëve të shtetit shqiptar se Europa pret zgjidhjen e krizës politike, në mënyrë që Shqipëria të ecë drejt integrimit në Bashkimin Europian.
"Ne kemi diskutuar edhe situatën e brendshme të vendit tuaj. Unë aty kam dhënë mesazhin se në mënyrë që të ketë ecje përpara ne na duhen sinjale pozitive.
Prandaj, ne kemi shprehur shqetësimin tonë për këtë situatë politike në Shqipëri, i cili ka të bëjë me dialogun politik, si dhe moszgjidhjen e atyre çështjeve që kanë mbetur në lidhje me zgjedhjet e vitit të kaluar", - nënvizoi Mishelsen.
Gjithashtu, Mark Mishelsen u ka kërkuar kreut të qeverisë Berisha dhe kryeopozitarit Rama që ta lexojnë me kujdes Rezolutën e miratuar nga Parlamenti Europian, e cila kërkon hetimin e materialeve zgjedhore të zgjedhjeve të kaluara parlamentare.
Kjo, sipas ambasadorit, duhet të përdoret si pikë referimi për të gjetur zgjidhjet në mënyrë që të ecet përpara. "Javën e kaluar Parlamenti Europian nxori një Rezolutë dhe unë shpresoj që kjo Rezolutë të lexohet në mënyrë të kujdesshme nga udhëheqësit politikë shqiptarë dhe nga partitë politike shqiptare dhe që kjo rezolutë të përdoret si bazë për të ecur përpara", - theksoi ambasadori.
Deri më tani Kryeministri Berisha ka pranuar hetimin e materialeve zgjedhore dhe nisjen e negociatave me opozitën për ngritjen e komisionit hetimor që do të merret me këtë proces.
Liberalizimi i vizave
Për sa i përket heqjes së regjimit të vizave në vendet e hapësirës Shengen, ambasadori i Belgjikës theksoi se kriza politike nuk do të ndikojë në këtë proces, pasi është një proces teknik dhe jo politik. Por, përpos kësaj, ai tha se Shqipëria duhet të përmbushë tre kriteret e lëshuara nga Komisioni Europian.
Mishelsen u shpreh se presidenca belge do ta shqyrtojë çështjen e liberalizimit të vizave vetëm pas përfundimeve, që do të nxjerrë grupi i ekspertëve të Komisionit Europian mbi tri kërkesat e mbetura. Nëse përfundimet do të jenë pozitive, atëherë, sipas Mishelsen, ky proces do të vijojë më tej në një nivel politik, siç është Këshilli dhe Parlamenti Europian.
"Në lidhje me liberalizimin e vizave ky është një proces teknik për sa ka të bëjë kjo me Belgjikën dhe jo një proces politik. Komisioni Europian ka lëshuar opinionin e tij për liberalizimin e vizave dhe për Shqipërinë mbeten tri kërkesa apo standarde, të cilat duhet të përmbushen.
Do të ketë një mision të ekspertëve të Komisionit Europian, të cilët do të shikojnë se çfarë ecurie ka pasur me këto tri kërkesa të Komisionit Europian dhe pas konkluzioneve që do të nxjerrin ata, do të shikojmë edhe ne sesi do të vazhdojmë të ecim përpara. Në qoftë se do të ketë një sinjal pozitiv, atëherë kjo çështje do të çohet më tej në nivel politik, por nuk do të jetë një diskutim politik", - qartësoi Mishelsen.
Zgjerimi i BE-së
Lidhur me vendosjen e një pauze 10-15-vjeçare të zgjerimit të Bashkimit Europian, ambasadori belg, vendi i të cilit kryeson presidencën e radhës, theksoi se në samitin e Sarajevës nuk u tha një gjë e tillë.
Megjithatë, sipas tij, skepticizmi i disa vendeve europiane ndaj zgjerimit duhet të luftohet me përpjekjen e Ballkanit Perëndimor, vendet e të cilit, sipas Mishelsen, duhet të punojnë më shumë për të arritur kapacitet europiane, në mënyrë që të bëhen pjesë e Unionit.
"Unë mund të them që në Samitin e Sarajevës ne nuk kemi pasur opinione të kundërta, pasi është dhënë një opinion për sa i përket zgjerimit. Gjithsesi, ndoshta ka disa qarqe politike të caktuara europiane, të cilat mund të kenë dyshime në lidhje me zgjerimin.
Unë do të thosha që e gjithë kjo duhet të shërbejë si një inkurajim për këto vende, të cilat duhet të punojnë më shumë dhe të tregojnë kapacitetin e tyre për të qenë pjesë e Bashkimit Europian.
Përpjekja e këtyre vendeve do të jetë "ilaçi" më mirë për skepticizmin që ekziston në vende të caktuara të Bashkimit Europian", - specifikoi Mishelsen. Ai shtoi se këtë gjë u ka kërkuar edhe krerëve të shtetit gjatë takimit me ta, duke thënë se ky proces është i bazuar tërësisht në meritat e secilit vend.