E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshon ligji për shitjen e INSIG

TIRANË-Qeveria do të rivlerësojë asetet e kompanisë së sigurimeve INSIG përpara se ta nxjerrë sërish në treg për shitje. Drejtuesit e Ministrisë së Financave kanë sjellë për miratim në Komisionin parlamentar të Ekonomisë disa ndryshime në ligjin për privatizimin e INSIG-ut, duke shpjeguar se nëpërmjet këtyre amendamenteve ky proces pritet të zhbllokohet dhe kompania shtetërore e sigurimeve të kalojë në duart e një investitori, vendas apo të huaj.

“Sot jemi 3 vjet më vonë dhe vlerësimi i bërë në atë periudhë rezulton i pavërtetë nuk i përshtatet realitetit. Për më tepër dhe konsulenti që punon në Ministrinë e Financave dhe merret me këtë cështje ka këshilluar që kjo referencë të hiqet dhe të hapet rruga për një vlerësim të ri të aseteve të INSIG, përpara se ai të dalë për shitje. Kemi arritur në kushtet kur duhet të amendojmë ligjin, procesi nuk ka ecur, është bllokuar”, u shpreh Lindita Rusmajli, përfaqësuese e Ministrisë së Financave.

Odiseja e privatizimit të INSIG-ut ka nisur që në Janar të vitit 2007. Fillimisht, qeveria shqiptare kishte rreth 61 për qind të aksioneve të INSIG-ut, ndërsa dy institucionet ndërkombëtare, IFC dhe BERZH, përkatësisht nga 19.5 për qind secila. Meqenëse BERZH dhe IFC ekzekutuan të drejtën e rishitjes së aksioneve, e cila skadonte në fund të vitit 2008, tashmë INSIG zotërohet 100 për qind nga shteti shqiptar. Sipas formulës së privatizimit, e gjitha paketa e aksioneve do t’i ofrohet invetsitorit, ku gara ëhstë e hapur si për kompanitë e huaja, ashtu edhe ato shqiptare.
Komisioni parlamentar i ekonomisë miratoi edhe marrëveshjen për shlyerjen e borxhit ndaj serbisë, në vlerën e 8.5 milionë dollarëve. Ky borxh do të paguhet brenda 5 vjetësh me dhjetë këste.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›