E Shtunë, 31 Tetor 2026

Provimet e lirimit, mbi 10 % e nxënësve me pikë maksimale

TIRANË- Mbi 10 për qind e nxënësve kanë marrë pikët maksimale në lëndën e Gjuhë- Letërsisë të Provimit të Lirimit.

Drejtori i arsimit parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Vejsiu tha se, korrigjimi i këtij testi ka përfunduar dhe po kryhet procesi i quajtur
“Matching”, përputhja i rezultateve të sekretuara me emrat e nxënsve.

Sipas tij, rezultatet e këtij provimi, tregojnë se niveli i njohurive ka qenë më i mirë krahasuar me vitin e kaluar. Përgjithësisht nxënësit pjesëmarrës kanë marrë nota të mira dhe të nivelit mesatar.

“Mbi 5 mijë nxënës ose mbi 10% e tyre kanë marrë pikë maksimale, ndërkohë që ka dhe rreth 400 nxënës që kanë marrë më shumë se 10 pikë, nga 50 të mundshme”, tha Vejsiu, duke shtuar se, testet për lëndën e matematikës sapo kanë filluar të korrigjohen.

Për të gjithë sistemin e arsimit bazë parauniversitar në Shqipëri viti shkollor përfundoi më datën 10 qershor.

Rreth 51 480 nxënësit e klasave të IX-ta të këtij sistemi morën pjesë në provimet e lirimit gjatë periudhës 15-30 qershor. Provimi i parë i Gjuhë- Letërsisë për të gjithë nxënësit u organizua më datë 17 qershor, ndërsa ai i Matematikës më datë 23.

Për zhvillimin e Provimeve të Lirimit datat për sesionin e dytë janë: 26 gusht - Gjuha Shqipe dhe 29 gusht- Matematika.

Risia e këtij viti shkollor për 645 mijë nxënësit e arsimit parauniversitar ishte se gjatë gjithë vitit ata patën disa periudha pushimesh, nga të cilat përfituan edhe mësuesit. Periudha e parë e pushimeve ishte nga data 27 tetor 2010- 31 tetor 2010 dhe më pas filluan pushimet e fundvitit.

Nxënësit kaluan edhe një periudhë të tretë pushimesh, që nisi më 28 mars 2011 dhe mbaroi më 3 prill. Që prej tre vitesh fëmijët dhe nxënësit janë përfshirë në strukturën arsimore 5+4+3, e ngjashme me sistemin e shumë vendeve të rajonit dhe Europës.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›