E Diel, 1 Nëntor 2026

PD: Zëri qytetarëve u dëgjua, votuan më shumë Bashën

TIRANË- Partia Demokratike reagoi pasditen e sotme kundrejt deklaratave të bëra nga Selia Rozë e cila akuzon mazhorancën për zgjedhje të manipuluara dhe nuk pranon rezultatin e shpallur nga KQZ mbrëmjen e së shtunës, i cili shpalli fitues kandidatin e ‘Aleanca për Qytetarin Lulzim Basha’ me 93 vota më shumë.

Zëdhënësja e Partisë Demokratike Albana Mustafaraj nga Selia Blu deklaroi se zgjedhjet ishin transparente dhe këtë fakt e tregon  transmetimi i tyre në media, ndërkohë theksoi se qytetarët votuan më shumë për kandidatin e mazhorancës.

“Në këto zgjedhje në rang vendi morën pjesë rreth 1milionë e 600 mijë qytetarë duke bërë që zëri i tyre të dëgjohej, një pjesëmarrje rekord kjo përsa i përket zgjedhjeve lokale, por edhe të përgjithshme. Më shumë qytetarë votuan për kandidatin e “Aleancës për Qytetarin” në Tiranë, por më e rëndësishme se kjo, është fakti se u dëgjua zëri i çdo qytetari”,- deklaroi Mustafaraj.

Partia Demokratike i rikujtoi liderit të opozitës Edi Rama se KQZ ndoqi urdhërin e Kolegjit Zgjedhor që të shqyrtonte votat, në bazë të kërkesës së bërë nga PS, ndërkohë që theksoi se Rama nuk pranon rezultatin dhe kërkon të mbysë zërin e qytetarëve.

“Z. Rama e quan veprimin e KQZ të paligjshëm, ndërkohë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u urdhërua të numëronte dhe shqyrtonte votat nga Kolegji Zgjedhor, si rezultat i kërkesës ligjore që bëri vetë z.Rama. Tani, nga dëshpërimi përballë humbjes, z.Rama po kërkon të mbysë jo vetëm zërat e atyre që hodhën votën gabimisht, por të të gjithë qytetarëve të tjerë.”,- deklaroi zëdhësësja për shtyp e PD, Albana Mustafaraj.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›