Ndryshon regjistrimi i akteve të lindjeve, martesave dhe vdekjeve
Erald Kapri
Gjendja Civile ka prezantuar dje ndryshimet ligjore mbi funksionimin e ri të zyrave të saj. Në prezencë të Misionit të OSBE-së, drejtuesit e GJC-së paraqitën edhe ndryshimet që do të pësojë ligji mbi mënyrën e regjistrimit të ri të shtetasve në zyrat lokale. Sipas amendimeve, të cilat janë ende në diskutim, është vendosur të ndiqet një procedurë e gjitha administrative. Amendimet kanë shmangur proceset gjyqësore të cilat janë parë në vite si pengesë për qytetarët. Përfaqësuesi i Avokatit të Popullit i ka mbështetur këto procedura. Sipas tij, ky institucion ka dy vite që i ka propozuar qeverisë të bëjë këto ndryshime. Regjistrimi i individëve në Regjistrin Kombëtar do të jetë e gjitha në formën elektronike.
Regjistrimet
Aktet për regjistrimin e një lindjeje të re, martese dhe vdekje do të jenë akte të veçanta. Amendimet kanë përcaktuar që këto akte të mbajtura jashtë shtetit, për shtetasit shqiptarë, apo edhe për të huajit në vendin tonë, do t’u përcillen zyrave të Gjendjes Civile. Deklarimi i lindjes së fëmijës duhet të bëhet brenda 60 ditëve në zyrat lokale të Gjendjes Civile, ku institucionet shëndetësore do t’i dërgojnë në mënyrë periodike zyrave të Gjendjeve Civile dublikata të certifikatave të asistencës në lindje. Në rast se fëmija nuk regjistrohet brenda një afati prej 60 ditësh, atëherë do të aplikohet një gjobë. Procedura do të jetë e njëjtë edhe për rastet e vdekjes. Në rast se regjistrimi i vdekjes së një individi nuk bëhet brenda 20 ditësh, atëherë do të ketë penalizim financiar. Specialistët parashikojnë që këto procedura t’u japin fund abuzimeve, nëpërmjet të cilave familjarët nuk i regjistrojnë të vdekurit e tyre për të përfituar pensionin. I veçantë do të jetë edhe konsensusi për mbiemrin e fëmijës. Ai do të vihet me mirëkuptim mes prindërve dhe në rast se nuk arrihet ndonjë marrëveshje për këtë çështje, fëmija përfiton mbiemrin e të atit. Ndryshimet ligjore do të prekin edhe zyrat konsullore, të cilat do t’u paraqesin zyrave të Gjendjes Civile të gjitha informacionet. Ndryshimet kanë reduktuar edhe tarifat që përdoren. Ato do të përgjysmohen për të gjithë qytetarët.
Gjendja Civile
Zyrat e Gjendjes Civile në rrethe do të kenë një administrim të ri dhe është parashikuar një rritje e punonjësve të këtyre zyrave. Shërbimi i Gjendjes Civile do të ketë buxhet më vete. Zyrat do të kenë detyrim që të pajisin me kartë çdo të huaj rezidentë në Shqipëri, i cili ka jetuar mbi një vit në Shqipëri. Drejtori i Gjendjes Civile, Armand Teliti, premtoi një shpejtësi në bërjen e regjistrit elektronik, i cili do të jetë baza e nevojshme për karta e identitetit, pasaportat biometrike si dhe për reformën zgjedhore. Mënyra elektronike e të dhënave do të bëjë të mundur që edhe certifikata të jetë në formë të tillë. Përfaqësuesit e OSBE-së në vendin tonë kërkuan një përshpejtim të punës për hedhjen e të gjitha të dhënave në sistemin elektronik si dhe përmirësimin e sistemit të adresave në vendin tonë.
20 Shkurt 2008