E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria dhe Maqedonia hapin kufijtë

Vendet fqinje, Maqedonia dhe Shqipëria, kanë nënshkruar një marrëveshje të ndërsjellë për lëvizjen e lirë të shtetasve të tyre. Kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski, zhvilloi një vizitë dyditore në Tiranë, ku u takua me personalitet më të larta të shtetit, ku u konkretizua Marrëveshja e Lëvizjes së Lirë. Marrëveshja u nënshkrua nga ministrat e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe Maqedonisë, Lulzim Basha dhe Antonio Milososki, në prani të kryeministrave Berisha dhe Gruevski. Bisedimet mes kryeministrave përqendruan në intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh, aspiratat e përbashkëta integruese në strukturat euroatlantike, në bashkëpunimin rajonal dhe çështjen e Kosovës. “Ashtu siç thashë edhe në pjesën time të ekspozesë, ne po ndjekim me vëmendje gjendjen në Kosovë e Serbi dhe kuptohet do të vendosim në pajtim me interesat shtetërore të Republikës së Maqedonisë dhe në komunikim të drejtpërdrejtë me miqtë tanë europianë e të NATO-s”, - tha Gruevski, i cili u mbështet edhe nga kryeministri shqiptar Berisha. “Theksova se kjo është shumë e drejtë dhe se këtë bëra dhe unë. Vendimet do t’i marrim bashkërisht në koordinim me miqtë dhe aleatët, të cilët kanë investuar shumë për ndryshimin rajonit tonë”, - tha Berisha. Kryeministri Gruevski bëri të ditur synimin e qeverisë maqedonase për të ndërmarrë hapa konkretë për ndërtimin e Korridorit 8 në territorin e Maqedonisë. Gjatë takimit, të dyja palët vlerësuan të një rëndësie të madhe për të dy vendet edhe projektin e naftësjellësit “AMBO” dhe të gazsjellësit Trans-Adriatik, për të cilat dy kryeministrat u angazhuan të ndërmarrin hapa të përbashkët për të tërhequr mbështetjen për këto projekte. Dy kryeministrat dhe delegacionet respektive ranë dakord për hapjen e pikës doganore Xhepisht - Trebisht midis dy vendeve. Të dyja palët u angazhuan gjithashtu edhe për konkretizimin e projekte të tjera të rëndësishme si linja e re elektrike Tiranë-Shkup, lidhja hekurudhore mes dy vendeve, bashkëpunimi për shfrytëzimin dhe mbrojtjen e liqenit të Ohrit etj.

20 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›