Ndryshon sërish historia: Komandot kishin urdhër për ta vrarë Bin Ladenin
Ndryshe nga sa ishte thënë deri tani, u zbulua se komandot e skuadrës elite amerikane kishin urdhër për ta vrarë Bin Ladenin. Duhej ta linin gjallë, vetëm në rast se do të ishte lakuriq, sepse besohej se mund të kishte ndonjë veshje vetëvrasëse të veshur nën rroba. Skuadra sulmuese do ta pranonte dorëzimin e tij, vetëm në rast se ai nuk do të kishte asnjë rrobë në trup. Por, me sa duket, fati i tij ishte vulosur në kohën kur ata e gjetën me pizhame. Faktin e ka pohuar këshilltari i antiterrorizmit në Shtëpinë e Bardhë, Xhon Brenan, duke lënë të konfirmohet atë që shumë e besonin si variantin e vërtetë: planifikuesit e operacionit Geronimo nuk kishin asnjë synim ta kapnin të gjallë liderin e Al-Kaedës. Analistë ushtarakë kanë pohuar se taktikat e sulmit me helikopter në kompleksin e Bin Ladenit kishin të gjitha shenjat e një sulmi vrasës. Zhurma nga afrimi i helikopterëve virtualisht garantonte një betejë, e cila do të justifikonte goditjen e çdo shënjestre. Ndërkohë, është kthyer sërish në qarkullim versioni se Bin Laden ishte i armatosur, edhe pse Shtëpia e Bardhë konfirmoi një ditë më parë se ai nuk kishte armë. Sipas New York Times, bazuar në burime të sigurta në Pentagon, Bin Laden kishte pranë vetes një pushkë AK-47, dhe një pistoletë Makarov. Pakistanezët thanë se radarët e tyre ishin bllokuar gjatë kohës së aksionit amerikan. Ndërkohë, polemika të reja i janë shtuar fotove të aksionit. Senatorët, që të mërkurën thanë se kishin parë foto tmerruese të aksionit dhe të kufomës së Bin Ladenit, ku nuk kishte asgjë të bukur për të parë dhe se fytyra ishte shkatërruar, kanë mohuar dje se fotot kanë qenë zyrtare. Republikanët Saksbi Çamblis, Keli Ajot dhe Skot Braun thanë dje se nuk janë të sigurt për autenticitetin e fotove. Tri sete me foto kanë qarkulluar në duart e zyrtarëve dhe senatorëve më të lartë amerikanë. Ato thuhet se tregojnë kafkën e hapur të Bin Ladenit në pjesën e përparme të kokës, ku dukeshin edhe pjesë të trurit. Obama tha të mërkurën se fotot nuk do të publikohen, pasi mund të krijojnë rrezik për sigurinë kombëtare duke zemëruar myslimanët fanatikë. Ai tha se Nuk ka dyshim që Osama bin Laden ka vdekur. Kjo nuk ka dyshim as mes anëtarëve të Al-Kaedës. Pra, mendojmë se një fotografi nuk do të bëjë asnjë ndryshim. Fakti është se ju nuk do ta shihni Bin Ladenin të ecë më mbi tokë, tha ai.