Probleme me Schengenin
Udhëtimi pa viza për shtetasit e Serbisë dhe të Maqedonisë në Zonën Schengen është vënë në pikëpyetje. Kjo, pasi që Belgjika dhe Suedia kanë shprehur shqetësime të reja për abuzimet e mundshme.
Të dy shtetet ishin ankuar edhe në vitin 2010, ngase u përballën me një numër tejet të lartë të azilkërkuesve që vinin nga Serbia dhe Maqedonia.
I njëjti problem po përsëritet edhe tani. Përgjegjësi belg për çështjet e emigracionit dhe azilit, Melchior Wathelet, i ka dërguar një shkesë komisares së BE’së për Çështje të Brendshme, Cecilia Malstrom, ku kërkon ndërmarrjen e masave përkatëse. Sipas Wathelet, numri i azilkërkuesve nga Serbia në prill ka arritur në 106, ndërsa i atyre nga Maqedonia në 99.
Të njëjtën brengë e kanë adresuar në Bruksel edhe zyrtarët suedezë, duke nënvizuar se edhe Suedia po ballafaqohet me probleme të njëjta, sidomos me azilkërkuesit nga Serbia.