Pakistani nën presion
Vrasja e Bin Laden i ka rënduar raportet me partnerin amerikan në luftën kundër terrorizmit. Pakistani tani po përballet me akuzat për strehim terroristësh.
Në një artikull të botuar për ‘TIME Magazine’, shefi i CIA’s, Leon Panetta, është shprehur se për të mos e rrezikuar misionin qëllimisht nuk i kanë informuar pakistanezët për sulmin.
“Nëse (mosinformimi ) ishte i qëllimshëm, apo nëse shërbimi ynë i zbulimit e kishte injoruar plotësisht dhe nuk e dinte se ku ndodhej ai (bin Laden), atëherë që të dyja janë të pafalshme. Nuk ka diskutim. Por, ka një dënim global të Pakistanit në gjithë botën. E, ky presion nga të gjitha anët është jashtëzakonisht kontraproduktiv, sepse e shtyn Pakistanin në një skaj dhe ia bën jashtëzakonisht të vështirë që të jetë partner me pjesën tjetër të botës", thekson ish-gjenerali pakistanez dhe eksperti i sigurimit, Talat Masood.
Në fakt, presion ka pasur edhe më parë, por ai tani është rritur më shumë. S’ka dyshim se ushtria pakistaneze po lufton ashpër kundër talibanëve pakistanezë. Por, ajo gjithashtu kritikohet vazhdimisht se po refuzon të luftojë talibanët afganë, të cilët janë përgjegjës për sulmet kundër forcave perëndimore në shtetin fqinj. Nga ana tjetër, edhe popullsia ka një qëndrim kritik ndaj SHBA’ve.
Megjithatë, SHBA dhe Evropa kanë nevojë për Pakistanin e armatosur me armë bërthamore, për të qenë të suksesshëm në luftën kundër terrorit dhe në Afganistan. Më 6 maj, ndërkaq, u raportua se aktivistët e partisë më të madhe religjioze pakistaneze Jamaat-e-Islami (JI) brohoritën parulla anti-amerikane gjatë marshit protestues në Abbottabad kundër operacionit ushtarak amerikan.