Ndryshon vlerësimi i pronës, afati i kompensimit zgjatet deri më 2011-n
Mazhoranca rikthen sërish në Kuvend ligjin e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese dy javë më parë për kthimin dhe kompensimin e pronës. Deputeti Enkelejd Alibeaj ka marrë parasysh vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese dhe ka plotësuar vakumin që, sipas Kushtetueses, ishte krijuar në ligjin e mëparshëm. Gjykata Kushtetuese vendosi ‘shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronës. Në këto dispozita njihej e drejta e drejtorit të përgjithshëm të AKKP-së, që të shqyrtonte nismën e vet vendimtare nga të dhënat prej zyrave rajonale të AKKP-së në qark apo ish-komisioneve vendore për kthimin e kompensimin e pronave dhe ish-komisionerëve të rretheve ose bashkive për kthimin dhe kompensimin e ish-pronarëve. Sipas relacionit të përgatitur nga deputeti Alibeaj, në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese nuk ka dhënë një përkufizim ontologjik të këtij parimi, por ka tentuar të japë një sqarim teleologjik të tij.
Projektligji parashikon se kërkesa për rishikim mund të paraqitet vetëm kundër vendimeve të ish-zyrave rajonale të AKKP-së në qark. Vendimet e ish-zyrave rajonale të AKKP-së në qark të ish-komisioneve vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave, si edhe të ish-komisioneve të rretheve ose bashkive për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve, për të cilat është shprehur gjykata me vendim gjyqësor përfundimtar dhe të formës së prerë nuk i nënshtrohen rishikimit sipas këtij ligji, por mund t’i nënshtrohen rishikimit sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Civile. Sipas projektligjit, drejtori i përgjithshëm i AKKP-së ka të drejtë të lërë në fuqi vendimin për dhënien e pronës, shfuqizimin e vendimit dhe zgjidhjen në themel të çështjes. Neni 3 i projektligjit parashikon një ndryshim në mënyrën e vlerësimit të pronës. Projektligji ka saktësuar kategorinë e pronave që i nënshtrohen procesit të vlerësimit, duke shtuar se procesit të vlerësimit të pronës i nënshtrohen domosdoshmërish prona nën formën e truallit, truallit industrial apo të çdo sipërfaqe tjetër toke. Projektligji parashikon në nenin 4 edhe ndryshimin e nenit 28 të ligjit aktual. Afati për fondin e pronave të përcaktuara nga qeveria është përcaktuar data 31 dhjetor 2011, e cila korrespondon edhe me përfundimin e procesit të njohjes së kthimit dhe kompensimit të pronave të paluajtshme.
#