Nafta e Albpetrolit, me bursën e Londrës
Shitja e naftës së “Albpetrolit”, sipas çmimit në bursë, duke sjellë debate të forta mes opozitës dhe qeverisë, do të kryhet sipas një procedure të re, me urdhër të ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti. Për shitjen e çdo sasie nafte do të ngrihet një komision i posaçëm, i cili do të vlerësojë çmimet në tregjet e huaja, duke iu referuar bursës së naftës Brent (Detit të Veriut), e cila tregtohet në Londër. Vendimi me akt-normativ për liberalizimin e çmimit të shitjes për produktet e “Albpetrolit” erdhi pas ngërçit të krijuar me disa kompani që kishin vështirësi për blerjen e naftës vendase, duke shkaktuar probleme financiare për ndërmarrjen shtetërore.
Urdhri i ministrit është lëshuar më 5 korrik dhe përmban të gjithë procedurën për shitjen e naftës së “Albpetrolit”, e mbetur stok prej 60 mijë tonësh, si pasojë e mosfunksionimit të rafinerisë. Pika e parë e urdhrit të Priftit lidhet me burimin e tregut të huaj, nga ku do të merret në konsideratë çmimi.
“Tregtimi i produkteve hidrokarbure për tregun vendas, me qëllim përpunimin e tyre ose për eksport do të bëhet sipas çmimit të bursës ndërkombëtare Brent”, përcakton ministri. çmimi minimal fillestar i shitjes për njësi përcaktohet nga kompania, nëpërmjet çmimit të produktit të publikuar në bursë për Brentin, në momentin e përllogaritjes, duke marrë në konsideratë koeficientin e konvertimit të këtij çmimi, sipas cilësisë së produktit të prodhuar dhe përcaktohet gjithnjë përpara fillimit të procedurës së shitjes. “Në çdo rast, çmimi minimal fillestar i shitjes për njësi duhet të jetë më i lartë se çmimi i shitjes i programuar nga ‘Albpetroli” për vitin përkatës”, thuhet në një tjetër pikë të urdhrit të ministrit të Ekonomisë dhe Tregtisë.
Komision për shitjen e naftësMinistri ka përcaktuar edhe rregulloren për funksionimin e komisionit që do të kryejë ankandin për shitjen e naftës. Ofertat e kompanive private duhet të vijnë me faks, i cili qëndron në një zyrë të mbyllur dhe ku përgjegjës direkt është kryetari i komisionit të ankandit. Përpara fillimit të ankandit, komisioni duhet të njohë ministrin me çmimin e naftës “Albpetrol” krahasuar me atë që ofrohet në bursën Brent, referuar formulave për llogaritjen e kostos dhe karakteristikave fiziko-kimike të produktit (cilësia). Pas këtij veprimi dhe përcaktimit të sasisë, komisioni hap ankandin, duke i bërë ftesë për ofertë shoqërive private në fushën e hidrokarbureve.
Kritere të forta janë vendosur për lëvrimin e shumave nga ana e kompanive private. Në kushtet financiare ku ndodhet sot ndërmarrja shtetërore e prodhimit të naftës, ministria i ka kushtuar shumë vëmendje formës për shlyerjen e faturave për sasitë që do të blejnë subjektet private. Shoqëria private që shpallet fituese duhet të lidhë kontratën brenda 5 ditëve nga data e njoftimit dhe të paguajë 10 për qind të vlerës së ofruar. “Pagesa nga shoqëria fituese për sasinë e kontraktuar do të bëhet me transfertë bankare, në cash (para në dorë) me letër krediti të parevokueshme jo më vonë se 15 ditë nga data e firmosjes së kontratës”, thuhet në pikën 14 të urdhrit.
Kompania e naftës “Albpetrol” ka pasur një performancë pozitive në katër muajt e parë të vitit 2010, duke rritur prodhimin dhe të ardhurat, e duke shlyer detyrimet ndaj shtetit. Megjithatë, problemet financiare duket se nuk kanë gjetur zgjidhje, aq sa kompania nuk është të gjendje të shesë produktin e saj, i cili qëndron stok në magazinë prej kohësh, në masën prej 60 mijë tonë.
#